Policia ka shtuar kontrollet e befasishme në Tiranë dhe në disa zona të Krujës, si pjesë e operacioneve që synojnë parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe forcimin e sigurisë rrugore.
Në aksion janë angazhuar Forca e Posaçme Operacionale, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Policia Rrugore. Kontrollet janë zhvilluar në akset kryesore dhe në zona të ndryshme, mes të cilave Fushë-Kruja, Bubqi dhe Nikla.
Të lidhura
None found
Verifikimet janë përqendruar te personat që mund të mbanin armë pa leje ose lëndë narkotike, shtetasit në kërkim, si dhe automjetet luksoze, të blinduara apo me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin.
Në total janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete, ndërsa verifikimit i janë nënshtruar 118 shtetas.
Policia ka konstatuar 34 mjete me xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor dhe ka vendosur masa administrative ndaj drejtuesve të tyre.
Për kontrolle të mëtejshme janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas, ndërsa 2 persona janë arrestuar në flagrancë.
Njëri prej të ndaluarve u vu në pranga pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë. Në rastin tjetër, efektivët sekuestruan një armë të ftohtë, konkretisht një shufër metalike, dhe arrestuan personin që e posedonte.
Gjatë aksionit u zbulua edhe një shtetas që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Automjeti luksoz që përdorej prej tij u sekuestrua nga policia.
Kontrollet në Tiranë dhe në zonat përreth do të vijojnë pa ndërprerje, me synim goditjen e çdo shkeljeje ligjore dhe garantimin e rendit e të sigurisë publike.
