Koncesioni i Sterilizimit, Apeli i Posaçëm lë në burg ish-zv.ministrin Rjepaj, biznesmenin Rrapaj dhe 4 të akuzuarit e tjerë

Apli i GJKKO ka vendosur të lërë të pandryshuara masa e sigurisë për 6 të akuzuarit në çështjen e koncesionit të sterilizimit.

Kështu,  ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj bashkë me të akuzuarit e tjerë mbeten në burg, pasi kanë kërkuar masë më të butë sigurie.

Konkretisht Klodian Rjepaj, Ilir Rrapaj, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Arben Gjata, Genc Burazeri kanë bërë ankim në Apelin e Posaçëm, por Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në burg ish-zv.ministrin Rjepaj dhe biznesmenin Rrapaj, si dhe masat e dhëna më herët për 4 të akuzuarit e tjerë.

Ndërsa Naile Ajazi dhe Petro Mersini që ndodhen nën masën detyrim paraqitje nuk kanë bërë ankim.

Koncesioni i sterilizimit

Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë iu dha kompanisë SaniService, një bashkkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Kontrata e Partneritetit Publik-Privat parashikonte sterilizim të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale.

Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi.

Dyshime të tjera lindën lidhur me vlerën e kontratës, që bazohej në një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit.

Kompanisë fituese iu dorëzua një qendër moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vua asnjëherë në funksionim.

Prokuroria e Tiranës deklaroi në vitin 2016 se kontrata e sterilizimit nuk ka elementë të veprës penale dhe e mbylli dosjen hetimore, që hapi me nismën e saj, por hetimi rinisi pas pas 3 vitesh kur u denoncua në SPAK-un e sapokrijuar.