Komisioni i Venecias ka nxjerrë rekomandimet e veta për reformat e synuara nga Qeveria Kurti për sistemin prokurorial në Kosovë.
Pikat kryesore në të cilat është fokusuar ky Komision kanë qenë përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës, procedura e përzgjedhjes, shkarkimi i tyre dhe zëvendësimi i anëtarëve aktualë e përjashtimi i Kryeprokurorit të shtetit si anëtar ex-officio.
Komisioni i Venecias ka thënë se propozimi i reduktimit të numrit nga 13 në 7, në kuadër të Këshillit Prokurorial, s’është në kundërshtim me standardet evropiane.
Megjithatë, sipas këtij Komisioni, reforma s’duhet të çojë në ndikime politike, pasi që reforma parasheh që përzgjedhja e shumicës së anëtarëve të KPK-së të bëhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Kjo pikë është propozuar të rikonsiderohet. Është rekomanduar të ketë zgjedhje nga institucione të jashtme, ose shoqëria civile.
Rekomandim tjetër ka qenë që kryeprokurori i shtetit të mbetet si anëtar ex-officio i KPK-së.
Procedura e zgjedhjeve në Komisionin Parlamentar është parë si shumë komplekse dhe e paqartë. Sipas Komisionit të Venecias, propozimi i Qeverisë hap dyert për manipulime. Ky komision ka rekomanduar të ketë rishikim të kësaj procedure e të konsiderohen modelet alternative për përbërje sa më pluraliste të KPK-së.
Ndërsa sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve aktualë të KPK-së, Komisioni i Venecias ka thënë se KPK-ja nuk duhet të funksionojë vetëm me katër anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi dhe se përbërja e re duhet të fillojë vetëm pasi të jetë e plotë me zgjedhjen e 7 anëtarëve.
Ndërkaq Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë se opinioni i Komisionit të Venecias i publikuar sot është fillimi i reformimit të sistemit prokurorial drejt një sistemi më llogaridhënës.
Ai ka thënë se Komisioni i Venecias ka miratuar kërkesën kryesore të MD-së lidhur me reformën në KPK dhe ndërprerjen e mandatit të shumicës së anëtarëve aktualë.
Sipas Miftarjat, Komisioni ka mirëpritur vullnetin politik të shprehur edhe në seancën plenare nga përfaqësuesit e MD-së që të marrin për bazë zbatimin e rekomandimeve në opinion.
“Fitore e madhe e sundimit të ligjit në Kosovë. Të shpresojmë se MD-ja do të respektojë dhe zbatojë në përpikëri zotimet e ofruara Komisionit”, ka shkruar tutje ai./KOHA/