KLSH çon në SPAK zv/kryetarin e Bashkisë Kurbin dhe 3 drejtorë, si e manipuluan fituesin e tenderit

Kallëzohen në SPAK 6 punonjës  të bashkisë Kurbin midis të cilëve zv/kryetari, tre drejtorë dhe dy punonjës. Kontrolli  i Lartë i Shtetit pasi ka realizuar një auditim për periudhën  Janar 2019 –Qershor  2020 në këtë institucion ka konstatuar se këta punonjës në bashkëpunim kanë abuzuar me tenderat.

Nga ky auditim janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish që lidhen me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrjetit të jashtëm e të brendshëm të Ujësjellësit të Qytetit Laç faza I, Bashkia Kurbin”, të cilat bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij.

Mësohet se fondi limit i tenderit  ka qenë 416,6 mln lekë  i financuar  nga Bashkia Kurbin. Në garë për ndërtimin e ujësjellësit kanë qenë 5 operatorë ndërkohë që është shpallur fitues një bashkim kompanish  me vlerë 497,4 mln lekë ose 500 mln më shumë se fondi limit.

Pas konstatimit të këtyre shkeljeve Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal për gjashtë funksionarë të Bashkisë Kurbin për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Një ditë më parë KLSH ka dorëzuar në SPAK kallëzimin për dy punonjës të bashkisë. Bashkitë në vend rezultojnë debitore të mëdha dhe një nga shkaqet është edhe keqmenaxhimi i fondeve publike Në total borxhi i tyre përllogaritet në 6.6 mld lekë./abcnews.al/


Shtuar 21.12.2021 16:11