Avokati Spartak Ngjela ka kujtuar një takim që ka pasur me presidentin Meta disa vite më parë.
Këto kujtime Ngjela i ka treguar në ABC, teksa komentohet se kush do të jetë i radhës në listën ‘non grata’. Ngjela thotë se pasi të largohet nga presidenca do të fillojë beteja e pronave për Metën.
Avokati flet për prona të mëdha të presidentit dhe kujton kur e ka takuar vite më parë, teksa mbante postin e zv.kryeministrit.
“Mendimi im është ky që pasi të ikë manteli i çelikut që i ka dhënë Presidenca i fillon procesi për pronat, 100%. Ka prona që nuk i kanë as sheikët. I kam vajtur në zyrë kur qe zv.kryeministër, e gjeta me një kostum turk dhjetë mijë lekësh dhe me sandale, më erdhi keq. Thashë kështu i mban zv.kryeministri. Kaloi në stratosferë. Më shumë është turp për shoqërinë. Ofshore u kanë gjetur para të mëdha këtyre. Nuk është vetëm ai, janë shumë”, tha ai.
Ngjela shton se në Shqipëri do të zbatohet plani i Kroacisë, ku u arrestuan 1 mijë persona për korrupsion, përfshirë edhe kryeministrin.
“Kemi rastin e Kroacisë dhe e di shumë mirë. Kam parë se kemi ecur njësoj si ata dhe këtu është thelluar. 1 mijë të arrestuar në Kroaci për korrupsion me gjithë kryeministrin. Dimë që reforma e Kroacisë u implementua në Shqipëri. Atje janë 1 mijë, por këtu korrupsioni është më banal. Problemi qëndron, këtu e ka marrë në dorë Uashington. Pse e ka ndërtuar prokurorinë dhe gjykatën e posaçme për dafina?” deklaroi avokati./albeu.com/