Kërkon ta bëjë lider, kush është politikani rus që Putin dëshiron ta infiltrojë në Ukrainë

Britania e ka akuzuar Kremlinin se po dëshiron që ta instalojë një lider pro-rus në Ukrainë dhe ka thënë se zyrtarët e inteligjencës ruse kanë qenë në kontakt me ish-politikanët ukrainas, si pjesë e një plani për ofensivë ushtarake.

Zyra e Jashtme britanike tha se Rusia po konsideron që politikani ukrainas Yevhen Murayev ta udhëheqë Qeverinë e re, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga Rusia. Murayev po ashtu ka hedhur poshtë këto deklarata të Britanisë gjatë një prononcimi për gazetën Observer.

I lindur më 1976 në qytetin lindor të Kharkivit në afërsi të kufirit me Rusinë, Murayev është pjesë e një grupi të politikanëve që kundërshtojnë udhëheqjen perëndimore të shtetit, që erdhi në pushtet pas protestave masive të vitit 2014.

Ai e nisi karrierën e tij politike në Kharkiv si aleat i ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych, që u largua për në Rusi pas protestave të vitit 2014.

Në periudhën 2014-2019 ai ishte deputet në Parlamentin ukrainas. Fillimisht ishte deputet i fraksionit të Bllokut Opozitar, një parti e formuar nga fraksione të Partisë së Rajoneve të Yanukovychit, që mbështetet nga Moska. Por, në qershor të vitit 2016, ai u distancua nga Blloku Opozitar dhe themeloi partinë e tij të quajtur Për Jetën, me ideologji të ngjashme.

Më 2018, ai themeloi një parti tjetër të quajtur Nashi. Murayev ishte regjistruar si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2019, por u tërhoq nga gara para se të mbaheshin zgjedhjet.

Cilat janë pikëpamjet politike të Murayevit?

Murayev ka promovuar pikëpamje që përputhen ngushtë me narrativët rusë për Ukrainën. Ai konsideron se protestat e vitit 2014 ishin një grusht-shtet i mbështetur nga Perëndimi.

Vitin e kaluar, ai iu referua luftës në rajonin lindor ukrainas të Donbasit si konflikt i brendshëm ndërmjet Qeverisë dhe rebelëve. Kjo është një pikëpamje diametralisht e kundërt nga ajo që ka Ukraina dhe Perëndimi, të cilët e shohin konfliktin në lindje të shtetit si luftë ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Më 2021, ai deklaroi po ashtu se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kontrollohet nga Perëndimi, dhe sugjeroi, njësojë sikurse Rusia, se Ukraina mund të tentojë që të rimarrë me forcë territorin në lindje që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Kievi mohon se ka plane të tilla.

“Zelenskiy është peng dhe po shantazhohet nga [shërbimi sekret i Mbretërisë së Bashkuar] M16, [Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës] CIA, nga kushdo. Nesër ata do ta detyrojnë atë që të nisë një ofensivë kundër Donbasit, që do të çojë në një luftë të shkallës së gjerë”, ka thënë ai.

Tërheqja e Rusisë në një përshkallëzim “do të nënkuptojë se mijëra ukrainas do të vdesin në njërën dhe tjetrën anë të vijës së demarkacionit”, ka thënë Murayev.

Murayev është më pak i njohur sesa Viktor Medvedchuk, një biznesmen dhe ligjvënës pro-Moskës, i cili thotë se presidenti rus Vladimir Putin është kumbar i vajzës së tij. Vitin e kaluar, Medvedchuk u vendos në arrest shtëpiak nën akuza për tradhti.

Murayev megjithatë ka ndikim përmes kanalit të tij televiziv të quajtur Nash, që nisi transmetimin në nëntor të vitit 2018. Pronari zyrtar i këtij kanali është babai i tij, Volodymyr Murayev.

Sipas një sondazhi të Qendrës Razumkov, rezultatet e të cilit u publikuan në dhjetor të vitit 2021, Murayev doli i shtati me 6.3 për qind mbështetje në mesin e kandidatëve të mundshëm për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të parapara që të mbahen më 2024. Një tjetër sondazh i kryer nga grupi Rating, e vendosi atë në vendin e pestë.

Më 2017, si pjesë e deklarimit të detyrueshëm të pasurisë, ai deklaroi se ka para të gatshme 2 milionë dollarë, 1 milion euro dhe 13 milionë hryvnia (460,971 mijë dollarë).

Çfarë tha Murayev dhe të tjerët lidhur me akuzat e Britanisë?

Murayev hodhi poshtë pretendimet e Britanisë, duke i thënë gazetës Observer se akuza “nuk është shumë e logjikshme”. Ai premtoi se do të jepte më shumë komente në një postim në Facebook, postim që e shoqëroi me një fotografi montazh të tij me imazhin e James Bond.

Në një postim të mëvonshëm, ai bëri thirrje për dhënien fund të ndarjes së politikanëve në Ukrainë në pro-perëndimorë dhe pro-rusë dhe tha se shteti ka nevojë për udhëheqës të rinj.

Rusia po ashtu i hodhi poshtë akuzat e Britanisë duke i cilësuar si “dezinformata”. Ndërkaq, Qeveria ukrainase nuk ka komentuar ende.

Volodymyr Fesenko, një analist politik ukrainas, tha se i duket e çuditshme që Murayev të jetë kandidati potencial i Moskës për të udhëhequr Qeverinë ukrainase.

“Murayevi, me gjithë pro-rusizmin e tij, nuk është një figurë që është shumë e afërt me Kremlinin, veçanërisht nëse krahasohet me Viktor Medvedchuk”, shkroi Fesenkok/REL/