Kërkon lirimin nga burgu/ Mbahet sot seanca në Apelin e Posaçëm, Veliaj ka ofruar edhe garanci pasurore

Ditën e stome, në Gjykatën e Apelit të Posaçëm në orën 11:00, do të mbahet seanca për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka paraqitur kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Çështja po shqyrtohet nga gjyqtarja Nertina Kosova. Ndërkohë, mësohet se Veliaj ka ofruar edhe garanci pasurore në përpjekje, për të zbutur masën aktuale “arrest me burg”.

Veliaj kundërshton vendimin e marrë nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila ka argumentuar se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për mbajtjen në fuqi të masës më të rëndë të sigurimit personal.

Sipas argumenteve të paraqitura nga mbrojtja, situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, çka sipas tyre përjashton rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre.

Kujtojmë që Kryebashkiaku i Tiranës, ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025.

Ndaj tij, SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumicën e akuzave e përbën korrupsioni pasiv, i kryer sipas SPAK në 9 raste. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste.


Shtuar 24.02.2026 10:58