Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni raportohet se ka kërkuar ekspertim të celularit jashtë Shqipërisë. Aparati telefonik i saj është sekuestruar dhe hetuesit e BKH-së e kanë ekspertuar në laboratorin që kanë ngritur në institucion.
Gazetarja Anila Hoxha ka treguar se seanca e marrjes në pyetje në SPAK zgjati rreth 1 orë e 30 minuta dhe se Vlora Hyseni ka mohuar akuzat, ndërsa ka kërkuar që telefoni i saj të ekzaminohet nga agjenci partnere jashtë Shqipërisë.
Të lidhura
None found
“Ajo që ka ndodhur është mjaft e rezervuar. Burime jozyrtare, por shumë të besueshme pranë SPAK, që vendosën të flasin në rrugë anonime, thanë se prokurorët kanë vijuar me leximin e të dhënave dhe renditjen e fakteve të dyshuara që mbeten mjaft sekrete, që lidhet me sekretin sa i takon detyrës që ka mbajtur.
Hyseni ka hedhur poshtë akuzat, ka kërkuar ekspertim të telefonit, që nuk duhet të kryhet në Shqipëri, por nga agjencitë partnere.
Kjo kërkesë duket e pabazuar, përsa ekspertimet e kërkuara prej saj bëhen në laboratorin e ndërtuar enkas në këtë prokurori të posaçme. Se përse e ka kërkuar këtë, e di vetëm Hyseni”, është shprehur gazetarja Anila Hoxha në emisionin “Top Story”.
Sipas saj, ish-drejtuesja e SHISH ka pretenduar sot para hetuesve se nga telefoni i saj nuk ka dalë asnjë dokument i klasifikuar. Ndërkohë, analisti Lorenc Vangjeli duke komentuar atë që ndodhi në dyert e SPAK, veçanërisht kërcënimin ndaj gazetares Klodiana Lala, tha se mesazhi synonte të shkonte shumë më larg.
“Shantazh për njerëzit me pushtet”, e ka cilësuar analisti deklaratën e Hysenit për gazetaren Lala, duke aluduar sipas tij, për njerëz të pushtetshëm që kanë pasur marrëdhënie të mundshme me SHISH, ose kontakte me shtetas të huaj.
