Kapen hajdutët për vjedhjen e dritareve, fenomeni i çuditshëm që po ndodh në qytetin e Elbasanit

Një fenomen i çuditshëm ka marrë udhë në zonën e Elbasanit, ku tashmë hajdutët po vjedhin gjithçka që shohin të vlefshme përfshi edhe dritaret e aluminit që qytetarët kanë vendosur në shtëpitë e tyre.

Kështu, Policia e Elbasanit raporton se ka arrestuar dy persona, njëri 23 vjeç dhe tjetri 28 vjeç, të cilët akuzohet se të paktën dy herë kanë çmontuar me qëllim vjedhjen e dritareve në dy shtëpi të ndryshme të zonës.

“Goditja” e parë e hajdutëve ka qenë një shtëpi në Bradashesh, ku kanë vjedhur grilat e dritareve prej alumini, ndërsa goditja e dytë ka qenë në fshatin Xibrakë, ku kanë marrë dritaret duke i çmontuar.

Policia u ka gjetur atyre edhe mjete për çmontimin e dritareve të aluminit pasi i ka arrestuar.

Dyshohet se pas vjedhjes ata i shisnin dritaret me peshë duke përfituar nga rritja e çmimit të aluminit në treg.