Kanosi drejtoreshën e shërbimit të provës në Pogradec, shpallet në kërkim 56-vjeçari nga Fieri

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, kanë shpallur në kërkim 56-vjeçarin Genc Llakaj, banues në Fier, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Sipas Policisë, 56-vjeçari dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale drejtoreshën e Degës Territoriale të Shërbimit të Provës në Pogradec, Suela Llakmani.

Të lidhura

None found

Kërcënimet pretendohet se lidhen me faktin se, sipas tij, zyrtarja nuk është paraqitur qëllimisht në gjykatë, çka ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj bashkëshortes së tij, e cila aktualisht ndodhet me masën e sigurisë “Arrest në burg” në IEVP Pojskë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e 56-vjeçarit.


Shtuar 14.02.2026 11:46