“Kanë ndodhur vrasje mafioze”, Basha: Shteti dhe mafia kanë zgjedhur të merren me njëra-tjetrën

Kryedemokrati Lulzim Basha ditën e sotme ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Elbasanit, nga ku ka sulmuar sërish qeverinë për blerjen e votave.

Ndër të tjera, Basha u shpreh se manipulimet zgjedhore  përbehet vetëm nga votat e një familje kriminale, që është familja e Aqif Rakipit, djali dhe dhëndri i të cilit mblodhën më shumë vota se Edi Rama.

“Diferenca është pothuajse njësoj sa votat e mbledhura nga çiraku i Edi Ramës në qarkun e Elbasanit, dy herë më shumë sesa vetë ai është prova më flagrante për këdo që kërkon prova se çfarë ndodhi në Elbasan”, tha Basha.

Gjithashtu, nuk ka munguar as mesazhi i drejtpërdrejtë për qeverinë, duke u shprehur se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim, ku vetë kryeministri Edi Rama është shprehur se dora ndaj opozitës do qëndrojë gjithmonë e shtrirë.

“Mesazhi që kemi për ta është një dhe vetëm një: ne e nisëm këtë fushatë në krahun tuaj dhe për ju, ne do ta vazhdojmë këtë betejë në krahun tuaj dhe për ju deri në fitoren e çdo familje shqiptare deri në fitoren e Shqipërisë që do të thotë përmbysje e regjimit Rama-Doshi dhe rikthimin e demokracisë, e zgjedhjeve të lira dhe i Shqipërisë të shqiptarëve”, tha Basha.

Fjala e Bashës

Kush mendon se në do të biem në paqe me këtë realitet, kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur. E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar  Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi.

Por, prandaj mirënjohja ime ndaj jush është shumëfish më e lartë se ç’mund t’jua shpreh me fjalë me çfarë kurajo, me çfarë guximin përballët me këtë realitet të njëjtë në shumë aspekte në të gjithë Shqipërinë, por shumë më të rëndë e më të keq këtu në Elbasan dhe tregon edhe njëherë forcën e vërtetë të shpirtit të elbasanllinjve, të shpirtit të demokratëve që nuk u dorëzuan, qëndruan, u përballën dhe i dolën zot shqiptarëve.

Edhe në këto kushte ju ia dolët vetëm me fuqinë e zemrave tuaja duke patur përballë të gjithë makinerinë shtetërore që punoi nga minuta e parë në minutën e fundit për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve për ndryshim. Duke patur kundër bandat më të rrezikshme, klanet më të rrezikshme kriminale të Ballkanit.
Ja dolët jo vetëm të nxisnit e të ndiznit shpresën për ndryshim në zemrat e qytetarëve të Elbasanit e të gjithë qarkut të Elbasanit, por edhe të garantoni deri në fund përkundër kërcënimeve monstruoze në numërimin e votave dhe të bënit të mundur kështu që procesi i masakruar nga fillimi deri në fund mos të tjetërsonte në përmasat e planifikuara vullnetin e qytetarëve të Elbasanit.

Por tjetërsimi ka ndodhur dhe kush i mbyll sytë para këtij tjetërsimi të votave në Elbasan e në mbarë Shqipërinë, le të vijë këtu e të shohë këtu sot se kush e sundon këtë qytet edhe pas 25 prillit.

Ndaj, sot kam ardhur për t’ju dhënë dy mesazhe: së pari, për t’u përkulur me nderimin më të thellë para sakrificës tuaj dhe kjo nuk është një frazë goje. E kam të vështirë të gjej fjalët për t’ju shprehur mirënjohjen që më buron nga zemra mua, sikundër çdo qytetari, çdo prindi shqiptar për rezistencën që ju kryefamiljarë, baballarë, gra, burra bëtë para shtetit të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me shtetin. Se çfarë kurajo kjo kërkonte, se çfarë besimi kjo kërkonte kudo në Shqipëri e në veçanti në Elbasan, mirënjohje të thellë dhe garanci se Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk e harrojmë këtë fuqi, këtë energji, këtë sakrificë tuajën dhe të gjithë ekipit të demokratëve anembanë qarkut të Elbasanit dhe të gjithë qytetarëve të qarkut të Elbasanit që ju me kurajon dhe me besim në këtë betejë për ndryshim.

Dua t’ju them se kokat duhet t’i kemi lart. Nuk ka forcë politike në Ballkan të mbetur që nga koha e rrëzimit të regjimeve komuniste që të ketë fuqinë që demonstroi Partia Demokratike në Shqipëri përballë këtij regjimi. Njësoj si në 91-shin, pa asnjë pushtet përveç pushtetit të zemrës, përveç besimit tek ndryshimi dhe kjo tregon se jo vetëm nuk jemi tkurrur, dobësuar apo lodhur, por jemi më të fortë, më të vendosur se kurrë. Me të gjitha marifetet e regjimit që nga ndryshimet antikushtetuese të Kodit, tek ndarja pa hesap e parave të grabitura të shqiptarëve për t’ju blerë votën, tek punësimet e paligjshme, tek kërcënimet derë më derë nga bandat e krimit të organizuar.

Në fund diferenca me të gjitha manipulimet zgjedhore  përbehet vetëm nga votat e një familje kriminale, që është familja e Aqif Rakipit, djali dhe dhëndri i të cilit mblodhën më shumë vota se Edi Rama.

Diferenca është pothuajse njësoj sa votat e mbledhura nga çiraku i Edi Ramës në qarkun e Elbasanit, dy herë më shumë sesa vetë ai është prova më flagrante për këdo që kërkon prova se çfarë ndodhi në Elbasan.
E pra, mos ta harrojmë në radhë të parë se ky është fryt i punës dhe kurajoze tuaj. Asgjë tjetër nuk do t’i kishte rezistuar shtetit të bërë njësh me Partinë Socialiste dhe partisë të bërë njësh me shtetin dhe bandat dhe krimin e organizuar përveç bashkimit të zemrave të demokratëve dhe vendosmërisë për të qëndruar siç qëndruam.

E dyta, shtrihet përtej radhëve tona e ka të bëjë me ata 680 mijë shqiptarë që na  ndoqën në këtë betejë. Na ndoqën sepse besuan se beteja nuk bëhej për karriget tona, nuk bëhet thjesht dhe vetëm për rotacion, por bëhet për një ndryshim për ta, për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre. Ky është në fakt edhe detyrimi më i madh që i kemi, detyrimi ndaj tyre.

Kujt t’ia lëmë fatin e tyre dhe të qindra mijëra të tjerëve që donin ndryshimin, por u penguan me dhunë e me kërcënime, e me shantazhe e me çmimin e mjerimit? Kujt do t’ia dorëzojmë fatin e tyre? I pushtetit të bërë njësh me krimin? I një drejtësie që nuk ekziston? Padiskutim që nuk do t’i lëmë në mes të rrugës.
Ndaj, e kam thënë prej ditës së parë betejën nuk e kemi nisur për karriget tona, betejën nuk e kemi nisur për karrigen time. Betejën nuk e kemi nisur thjesht dhe vetëm për pushtetin e Partisë Demokratike ndonëse e dimë siç e dinë shumica e shqiptarëve se nën drejtimin tonë Shqipëria e ka të hapur rrugën e ndryshimit për çdo shqiptar. Betejën e nisëm për shqiptarët e thjesht, për ata që sot janë nën dëshpërim dhe zhgënjim, në depresion dhe në zemërim dhe presin me sytë nga ne se çfarë do të ndodhë.

Nëse do t’i ulim flamujt e betejës, do të ulim kokat e do të pranojmë fatin e paracaktuar nga aleanca e reagimit Rama-Doshi? Apo do të qëndrojmë fort dhe këtë regjim që e kemi sjellë në buzë të greminës thjesht me forcën e shpirtrave tanë, me bindjen e thellë për ndryshim do ta çojmë aty ku e meriton, në fund të greminës.

Mesazhi që kemi për ta është një dhe vetëm një: ne e nisëm këtë fushatë në krahun tuaj dhe për ju, ne do ta vazhdojmë këtë betejë në krahun tuaj dhe për ju deri në fitoren e çdo familje shqiptare deri në fitoren e Shqipërisë që do të thotë përmbysje e regjimit Rama-Doshi dhe rikthimin e demokracisë, e zgjedhjeve të lira dhe i Shqipërisë të shqiptarëve.

Jam i vetëdijshëm që ky vazhdim i betejës do ta kërkojë edhe më shumë sakrifica, por rrugë tjetër nuk ka. Forcë dhe fuqi tjetër për të rrëzuar regjimet këto 30 vite, nuk ka!

Njësoj si vaksinat që janë të programuara, për t’ju përgjigjur kodit gjenetik të COVID-it, edhe në Shqipëri ka vetëm një forcë politike këto 30 vite, që është e programuar për të rrëzuar regjime. Është ajo që rrëzoi regjimin në 91 dhe 92-shin, është ajo që do të rrëzojë rrëgjimin Rama-Doshi, është Partia Demokratike, jemi ne, jeni ju, janë demokratët.

Do ta vazhdojmë atë që bashkë nisëm dhe që është ndalur përkohësisht: bashkimin e madh të shqiptarëve për ndryshim, në mënyrë që çdo shqiptar të ndihet i fituar, atëherë të jeni të sigurt që nuk ka forcë të na ndal për ta çuar këtë betejë deri në fund.
Ky është mesazhi që kam për ju të nderuar kapitenë të skuadrës tonë në Elbasan, ky është mesazhi që kam për të gjithë demokratët e Elbasanit, ky është mesazhi për çdo qytetar që na ndjek sot.

Së fundmi, diçka sa i përket zhvillimeve brenda familjes tonë. Duan s’duan kundërshtarët tanë, ne jemi një familje e madhe politike, e bashkuar jo nga interesat, as nga krimet e paraardhësve, as nga mëkatet me krimin e organizuar, as nga pazaret me oligarkët, por nga idealet me të cilat lindëm, idealet të cilat na kanë udhëhequr në rrugën tonë, jo pa gabime, jo pa të meta, jo pa probleme, por që ka për të mundur sa herë që kemi patur fatet e vendit në dorë që ta çojmë një hap përpara Shqipërinë.

 


Shtuar 16.05.2021 14:17