Juventusi 2021: pak arritje, shumë ulje, mes shpresave dhe realitetit

Viti 2021 i Juventusit përfundoi me golin e Federico Bernardeschi kundër Cagliarit, një gëzim personal i gjetur pas 513 ditësh. Kjo është “fotografia” e performancës vjetore të bardhezinjve: pak ngritje, shumë ulje, mes shpresave dhe realitetit.

Nga Andrea Pirlo te Massimiliano Allegri: dy mënyra diametralisht të kundërta trajnerësh, se si e shohin futbollin, personazhe të ndryshëm. Me trajnerin nga Brescia, i cili në bazë të eksperiencës së tij në stol duhet të kishte përfaqësuar vazhdimësinë për sa i përket hegjemonisë bardhezi.

Në vend të kësaj, jo: vendi i katërt në kampionat, i marrë më shumë për të metat e të tjerëve. Një xhiro emocionesh, me dy trofe në vitrinë, fituar në finalet kundër Napolit dhe Atalantës: Superkupa dhe Kupa e Italisë.

Nuk është pak, aq më tepër duke pasur parasysh se si, në një moment të caktuar, viti 2021 për “Maestro” ishte bërë shumë i ndërlikuar. Sigurisht, në Continassa nuk e konsideruan kurrë mundësinë e shkarkimit të Pirlos gjatë sezonit, por e bënë këtë në fund të tij.

Me pak fjalë, koha ndryshon, por jo thelbi. Muaj më vonë, eliminimi i pësuar në 16-she të Ligës së Kampionëve ndaj Portos vazhdon të rëndojë. Një epilog dramatik futbollistik, siç nënvizohet nga lotët e xhiruar në kamerat e “Gjithçka ose asgjë”, në sytë e Cristiano Ronaldos.

Në të vërtetë, më 9 mars ai i dha fund Champions-it me aventurën kundër portugezëve. Një eliminim përvëlues, një pikë pa kthim, fillimi i lamtumirës. E cila, megjithëse me një zjarr shumë të ngadaltë, e çoi përsëri CR7 te Manchester United. Pirlo dhe Ronaldo, dy gjigantë të terrenit, u takuan dhe respektuan njëri-tjetrin.

Një rrugë e përdredhur, padyshim, por që në fund i lejoi luzitanit të shpallej golashënuesi më i mirë i Serie A (2020-2021). Për më tepër, megjithëse Cristiano u largua nga Juve në gusht, ai është ende lojtari më produktiv i bardhezinjve për vitin 2021. Ky është një fakt që na bën të reflektojmë.

I uritur për gola, fituesi i 5 Champions-ve dhe po aq “Topave të Artë”, ende në kërkim të skuadrës së duhur, Ronaldo u kthye në “Old Trafford”. I mbështetur fuqishëm nga stafi i Juves, trajneri livornez, Allegri, nënshkroi kontratë 4-vjeçare. Rikthim për të te “Zonja e Vjetër”.

Diçka anakronike për zakonet e futbollit modern, por që e bën të qartë se Juventusi sheh te toskani njeriun e duhur për të hapur një projekt të gjerë. Thënë kështu, në pjesën e parë të sezonit nuk është se gjërat kanë shkuar mirë. Në të kundërt, bardhezinjtë e mbyllën fazën e parë në vendin e pestë të Serie A, duke grumbulluar 34 pikë dhe shfaqur boshllëqe strukturore objektive.

Dobët në kampionatin italian, shumë më mirë në Evropë, çka ka mjaft rëndësi. Vendi i parë në grup përpara kampionit në fuqi, Chelsea. Një pozicion për t’u vlerësuar, por jo për t’u mbivlerësuar, mjafton të shikoni performancën e “Stamford Bridge”.

Në vitin 2021, te Juve u pa gjithçka: me strukturat e gjeometrisë së ndryshueshme nga Pirlo dhe ato asimetrike të propozuara nga Allegri; me një kalim të fundit në 4-2-3-1. E thënë thjesht, një 2021 i vështirë, pa siguri.

Periudha më e vështirë e epokës së Andrea Agnelli i cili, tani shpreson në planin e rinisjes në emër të qëndrueshmërisë. E gjitha kjo, duke shfrytëzuar të plotfuqishmin Allegri. A do të mjaftojë?


Shtuar 29.12.2021 20:04

Tags: