Ju janë shkatërruar flokët nga dekolorimi? Sekretin e gjeni në kuzhinë, provoni këto maska

Cilado femër që ka provuar të paktën një herë të vetme dekolorimin e di shumë mirë sa e vështirë është të kujdesesh për flokët pas tij, duhet thënë që dekolorimi nuk është gjë tjetër veçse çngjyrosje falë përbërësve kimikë.

Maskë me vaj ulliri dhe vaj kokosi:

Ndoshta dy përbërësit e mësipërm mund t’i keni përdorur edhe më parë në trajtime të ndryshme, mirëpo të kombinuar së bashku janë akoma më të këshillueshëm dhe dobiprurës.

Vaji i kokosit është i pasur me trigliceride, të cilat depërtojnë deri në thellësi të skalpit të kokës, kurse vaji i ullirit ka në përmbajtjen e tij substance të ndryshme ushqyese, antioksidantë, acide yndyrore dhe vitaminë E që forcojnë flokët dhe u rikthejnë shkëlqimin e humbur.

Në një zhezve shtoni 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe 2 lugë gjelle vaj kokosi në trajtë të ngrirë. Vendoseni në zjarr për pak minuta, dhe me ndihmën e një furçe lyeni flokët në gjithë gjatësinë e tyre. Masazhoni me lëvizje rrethore skalpin dhe majat e flokëve dhe lëreni të veprojë për 3 minuta. Flokët tuaj do të jenë më të butë dhe do të mund t’i krihni lehtësisht.

Maskë me veze dhe lëng qepe:

Maska me vezë dhe lëng qepe është gjerësisht e rekomanduar pasi ushqen rrënjën, forcon flokët dhe parandalon këputjen e tyre sidomos pas një procesi të vështirë siç është dekolorimi.

Veza është një ndër burimet kryesore të proteinave dhe vitaminës E, të cilat ushqejnë rrënjën e flokut, si dhe e ndihmojnë të rritet në mënyrë të shëndetshme.

Kurse antioksidantët që gjenden tek qepa parandalojnë këputjen e flokëve dhe i mbrojnë ato nga veprimi i radikaleve të lira. Merrni dy kokra qepë, ndajini në 4 pjesë dhe vendosini të zihen me 300 ml ujë.

Lëngun e qepës kullojeni dhe lëreni të ftohet. Shtoni në të 2 të verdha vezësh dhe 2 lugë gjelle me vaj ulliri.

Përzierjen hidheni në një shishe sprucator dhe aplikojeni mbi flokë duke e lënë të veprojë për 30-40 minuta. Era e vezëve nuk do të ndihet më pas lyerjes dhe flokët tuaj do të jenë më të fortë e të butë.

 


Shtuar 20.06.2021 14:14