Jepet dënimi i parë me burg për dhunën seksuale gjatë luftës së Kosovës

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka njoftuar se Gjykata Themelore ka dënuar Zoran Vukotiqin me 10 vjet burgim për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tyre, ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendore.

“Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend. QKRMT përmes shërbimeve rehabilituese që ofron, ka fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi, si dhe ka iniciuar rastin. Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor. Ne nuk do të reshtim derisa ta shohim edhe përdhunuesin e fundit prapa grilave”, thuhet në njoftim.

Shtuar 5.07.2021 15:39