“Jemi ekip më i mirë se ai i Ligës së Kombeve”, Reja flet para ndeshjes

Pas kapitenit Etrit Berisha, në konferencën për shtyp me gazetarët foli edhe trajneri i Kombëtares Edi Reja.

Sipas teknikut italian, ndeshja e nesërme me Andorran është shumë e rëndësishme dhe nuk do të bëhet asnjë eksperiment.

Ai u shpreh se e ka fiksuar formacionin që do të hedhë në fushë, por pa dhënë detaje.

ANDORRA- Nuk është se nuk kemi patur shumë ditë në dispozicion për këtë ndeshje, ekipin e kam parë ka qenë pak i lodhur këto ditë për shkak të ekipeve që janë aktzivizuar, ka pasur dëmtime dhe COVID-19 më parë, por tani është normalizuar sepse tani janë në formë pasi kanë luajtur me skuadrat e tyre, duhet përqendrim dhe fokus gjithashtu. Duam ta nisim aty ku e lamë, duhet të bëjmë kujdes nga Andorra duke parë dhe ndeshjen që kemi kaluar më parë.

LIGA E KOMBEVE – Ai edicioni i kaluar i Ligës së Kombeve do na japë stimul më shumë. Përgjegjësia në skuadër është rritur. Do të kemi përballë skuadra shumë më të forta. Jemi ekip më i mirë se ai i Ligës së Kombeve, pritshmëritë janë për t’u rritur akoma më shumë. Është momenti i të vërtetës për ta parë nëse jemi rritur më shumë.

FORMACIONI – Kam një ide të qartë për formacionin që do të hedh në fushë nesër. Kemi dhe një stërvitje të fundit, të shikojmë si do të shkojnë gjëra. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente. Do të mbështetem te lojtarët që kam besim. Në ndeshjet e tjera do të kem mundësi të bëj ndryshime dhe të përdor lojtarë të tjerë. Kam një grup prej 30 e ca lojtarëve që janë në qarkullim, nuk mund ti grumbulloj të gjithë. Formacionin e kam vendosur. Kam bërë vetëm 1 seancë të plotë stërvitore. Besoj se kemi punuar mirë. Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë me lojtarët që kemi.

Andorra-Shqipëri luhet nesër në ora 20:45.


Shtuar 24.03.2021 18:07