Janusz Bugajski: Përfitimet e mëdha nga shpërbërja e ardhshme e Rusisë

Nga Janusz Bugajski “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Aktualisht jemi dëshmitarë të një revolucioni që po ndodh në fushën e sigurisë globale, për të cilin politikë-bërësit perëndimorë janë qartazi të papërgatitur. Fjala është për kolapsin e afërt të Federatës Ruse.

Sidoqoftë, në vend se të planifikojnë se çfarë do të bëjnë në situata të paparashikuara që mund të përhapen shpejt dhe shumë përtej, apo të shfrytëzojnë de-imperializimin e Rusisë, zyrtarët perëndimorë duket se kanë ngecur në një epokë të dikurshme, duke besuar se mund të rikthehen në statuskuonë e pas Luftës së Ftohtë.

Madje disa po i ofrojnë ende sot Moskës garanci sigurie, për ta mbajtur të paprekur këtë vend. Por Rusia është një shtet i dështuar.

Ajo nuk ka qenë në gjendje që të transformohet në një shtet-komb, në një shtet të qytetarëve apo qoftë edhe në një shtet të qëndrueshëm perandorak.

Ajo është një federatë vetëm në emër, pasi qeveria qendrore ndjek një politikë të homogjenizimit etnik dhe gjuhësor, dhe u mohon çdo pushtet 83 republikave dhe rajoneve të vendit. Megjithatë, hipercentralizimi ka nxjerrë në pah dobësitë e shumta të vendit, përfshirë një ekonomi në tkurrje të ndrydhur nga sanksionet ndërkombëtare, humbjet ushtarake në Ukrainë që zbulojnë paaftësinë dhe korrupsionin e elitës së saj në pushtet, dhe shqetësimin në shumë rajone për buxhetet e tyre të zvogëluara.

Më në fund Moska po ekspozohet para botës si një qendër perandorake e dhunshme, të cilës po i shterrojnë kapacitetet e saj për ta mbajtur vendin të bashkuar. Megjithatë, shumica e liderëve perëndimorë nuk arrijnë ende të shohin përfitimet e shpërbërjes së Rusisë.

Shpërbërja e Federatës Ruse do të jetë faza e tretë e kolapsit perandorak, pas shpërbërjes së bllokut sovjetik dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990. Ajo do të nxitet nga betejat e elitës për pushtet dhe rivalitetet e intensifikuara midis qeverisë qendrore dhe rajoneve të pakënaqura, të cilat në disa pjesë të vendit mund të çojnë në luftëra civile dhe mosmarrëveshje kufitare.

Megjithatë, ajo do të inkurajojë gjithashtu edhe shfaqjen e shteteve të reja dhe federatave ndër-rajonale, të cilat do të kontrollojnë burimet e tyre dhe nuk do t’i dërgojnë më njerëzit e tyre të vdesin nëpër luftëra për perandorinë e Moskës.

Ndërsa Moska do të kthejë kokën nga problemet e brendshme, do të zvogëlohet edhe kapaciteti i saj për agresion ndaj vendeve të huaja. Dhe si një shtet i izoluar, nën sanksione të ashpra ndërkombëtare dhe i privuar nga baza e burimeve të tij në Siberi, do të ketë aftësi të reduktuara ndjeshëm për të sulmuar fqinjët.

Nga Arktiku në Detin e Zi, fronti lindor i NATO-s do të bëhet më i sigurt; ndërsa Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia do të rifitojnë territoret e tyre të pushtuara dhe do të bëjnë thirrje për integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pa pasur rikë nga reagimi i Rusisë.

Edhe vendet e Azisë Qendrore do të ndihen gjithnjë e më të çliruara, dhe do të jenë në gjendje që t’i drejtohen Perëndimit për energji, siguri dhe lidhje ekonomike.

Kina do të jetë në një pozicion më të dobët për ta zgjeruar ndikimin e saj, pasi ajo nuk mund të bashkëpunojë më me Moskën, dhe shtete të reja pro-perëndimore mund të dalin nga brenda federatës ruse, duke e rritur stabilitetin në disa rajone të Evropës dhe Euroazisë.

Edhe pse armët bërthamore do të mbeten një kërcënim potencial, liderët e Rusisë nuk do të kryejnë një vetëvrasje kombëtare duke i lëshuar ato kundër Perëndimit. Përkundrazi, ata do të përpiqen të shpëtojnë të ardhmen e tyre politike dhe pasuritë ekonomike, siç bëri dikur elita sovjetike.

Dhe pavarësisht se disa shtete në zhvillim mund të pajisen me armë të tilla, ato nuk do të kenë asnjë arsye për t’i përdorur ato pasi do të jenë më shumë të interesuara të kërkojnë njohje ndërkombëtare dhe ndihmë ekonomike.

Shtetet post-ruse ka të ngjarë të ndjekin procesin e çarmatimit bërthamor, njëlloj si Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani pas rënies sovjetike.

Koncepti që duke folur për kolapsin e Rusisë, liderët perëndimorë janë duke e ndihmuar presidentin Vladimir Putin, është i gabuar.

Kremlini pretendon se Perëndimi dëshiron që të shkatërrojë Rusinë pavarësisht nga politika aktuale, dhe mohimet nga Uashingtoni dhe Brukseli vetëm sa po nxisin më tej konspiracionet që thur Kremlini.

Përkundrazi, një qasje shumë më efektive do të ishte të specifikohej qartë se çfarë po mbështet Perëndimi. Mbështetja e hapur e pluralizmit, demokracisë, federalizmit, të drejtave civile dhe autonomisë së republikave dhe rajoneve të saj, mund të ndihmojë në inkurajimin e qytetarëve të Rusisë dhe dhënien atyre të mesazhit se ata nuk janë të izoluar globalisht.

Po ashtu, ata do të kenë nevojë për qasje tek informacioni që Moska po ia fsheh, sidomos kur bëhet fjalë për sigurimin, zhvillimin ekonomik dhe kultivimin e marrëdhënieve paqësore dhe produktive me fqinjët.

Edhe pas tmerreve që ka sjellë sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe justifikimeve që kanë dhënë për gjenocidin udhëheqësit dhe këshilltarët e qeverisë ruse, shpresa

e zyrtarëve perëndimorë se mund të vendosen marrëdhënie të dobishme me një Kremlin pas largimit të Putinit, apo që liberalët mund ta demokratizojnë perandorinë, është në fakt një mendim i dëshiruar.

Perëndimi bëri një gabim të rëndë, kur supozoi se rënia e komunizmit sovjetik nënkuptonte fundin e imperializmit rus.

Dhe ndërsa shtetet perandorake shemben pa asnjë dallim kur ato i tejkalojnë mundësitë e tyre, dhe kur presionet centrifugale ushqehen nga shqetësimet ekonomike, pakënaqësitë rajonale dhe ringjalljet kombëtare, këtë herë duhet të shmanget përsëritja e këtij gabimi, dhe nuk duhet supozuar gabimisht se perandoria aktuale është e përhershme. /albeu.com

Shënim:Janusz Bugajski, anëtar i “Jamestown Foundation”. Libri i tij i ri titullohet “Shteti I dështuar:Një udhëzues mbi arsyet e shpërbërjes së Rusisë”.


Shtuar 13.01.2023 12:40