“Janë sekuestruar 60 milionë euro”, Ardi Veliu nxjerr detaje nga operacioni antidrogë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dhënë detaje nga operacioni “Shpirti” që u zhvillua në bashkëpunim me autoritet italiane.

Sipas Veliut, ky operacion u zhvillua pas një hetimi të gjatë 3-vjeçar. Kontrollet janë zhvilluar në disa qytet të Shqipërisë, Vlorë, Kavajë, Tepelenë, Gjirokastër dhe Tiranë.

Ndërkohë nga kontrollet janë sekuestruar dy armë zjarri dhe 60 mijë euro.

“Pas një pune disa vjeçare, gati 3 vite, ku policia ka qenë aktive, sot kemi finalizuar ekzekutimin e 18 urdhër arresteve, si pjesë e këtij grupi kriminal.

Veprimet janë kryer në disa qytet, Vlorë, Kavajë, Tepelenë, Gjirokastër dhe Tiranë.

Gjatë kontrolleve të ushtuara në banesa janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri, është bllokuar një sasi vlerë monetare 60 milionë euro. Sot oficerët e policisë janë duke ekzekutuar urdhrat e sekuestrimit. Nëpërmjet Interpol kemi shpërndare informacionet për personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar”, tha Veliu.

Ndërkohë Prokurori Vladimir Mara u shpreh se këto 4 grupe kriminale kanë vepruar me grupet në territorin e Barit, por edhe me grupet kriminale në gjithë territorin italian.

“Ka qenë një hetim shumë i mirë, hetim i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Në Shqipëri janë dokumentuar edhe dy episode të tjera të trafikut të lëndëve narkotike. Për njërin është autorizuar edhe dorëzimi i kontrolluar dhe është dokumentuar veprimtaria kriminale e 4 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në mënyrë të ngushte me grupe kriminale bareze, apo me grupe të tjera të shtrirë në territorin e Italisë. Ky është një rasti i mirë bashkëpunimi dhe një rast me të dhëna shumë të mira”, u shpreh Prokurori Mara.


Shtuar 2.07.2021 11:53