Italia ka marrë vendimin të dëbojë dy punonjës ushtarakë rusë të akredituar në Ambasadën e Rusisë në Itali, pas dyshimeve për përfshirjen e tyre në veprimtari spiunazhi.
Të lidhura
None found
Njoftimi u bë publik nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili në një reagim në rrjetet sociale tha se gjatë hetimeve të Prokurorisë së Romës, dy personat janë identifikuar si “përgjegjës për aktivitete spiunazhi”.
Sipas asaj që bëri të ditur Tajani, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane ia ka përcjellë ambasadorit rus në Romë se Ivan Petrovich Gorbachev dhe Mikhail Vasilyevich Astakhov duhet të largohen nga territori italian brenda tre ditësh.
“Moska vazhdon të përdorë armët e saj hibride për të sulmuar Perëndimin dhe Italinë. Një ndërhyrje e rëndë dhe e papranueshme për institucionet italiane dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh Tajani.
Menjëherë pas vendimit të autoriteteve italiane, reagoi edhe Moska. Ministria e Jashtme ruse bëri të ditur se do t’i kundërpërgjigjet kësaj mase të ndërmarrë nga Italia, pa sqaruar megjithatë se në çfarë forme do të jetë reagimi.
Largimi i dy zyrtarëve ndodh në një moment kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore janë shoqëruar me tensione të shtuara, ndërsa çështjet që lidhen me sigurinë dhe pretendimet për ndërhyrje të jashtme kanë zënë vend qendror në vëmendje.
