Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka shprehur shqetësim të thellë për nisjen e debatit lidhur me rritjen e moshës për përfitimin e pensionit të pleqërisë, duke veçuar si veçanërisht alarmuese përmendjen publike të mundësisë që pensionimi të bëhet në moshën 72 vjeç, sipas një postimi të publikuar prej tyre në rrjetet sociale.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, LSM thekson se propozime të tilla janë dëgjuar edhe më parë dhe se ato kanë ardhur nga persona që nuk janë punëtorë, në dëm të vetë punëtorëve. Sipas tyre, masa të nxituara si rritja e normës së kontributit apo shtyrja e moshës së pensionimit janë ndërmarrë vetëm për të mbuluar mungesat në Fondin e Pensioneve, por nuk kanë sjellë zgjidhje afatgjata. Përkundrazi, problemet strukturore kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë rikthyer vazhdimisht.
Sindikata vlerëson se vendit i duhen politika dhe masa serioze që do të shtojnë punësimin e të rinjve përmes vendeve reale dhe të qëndrueshme të punës, të krijuara nga investime të reja vendase ose të huaja, si dhe përmes rritjes së pagave. Sipas tyre, kjo do të ndikonte në rritjen e mjeteve në Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, në uljen e varfërisë, si edhe në sigurimin e punës së denjë për të gjithë, me respektim të të drejtave nga puna sipas standardeve ndërkombëtare të punës, në mënyrë që të rinjtë të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre.
Duke iu referuar “Vjetarit Statistikor të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2025” të Entit Shtetëror të Statistikës, LSM nënvizon se jetëgjatësia e pritur në vend është 76.63 vjet, duke ngritur pyetjen nëse synimi është që, në vend të daljes në pension, qytetarët të punojnë deri në fund të jetës.
Për këtë arsye, nga LSM kërkojnë që të vendosen më shumë mundësi për pensionim, përfshirë daljen në pension me 40 vjet përvojë pune për burrat dhe 35 vjet përvojë pune për gratë, pensionimin e parakohshëm, vendosjen e stazhit të dobishëm për punëtorët e ndërtimit, si edhe për sektorë të tjerë ku puna kryhet në kushte veçanërisht të rënda dhe të dëmshme për jetën e shëndetin e punëtorëve. Ata përmendin gjithashtu pensionin e pleqërisë sipas moshës ose përvojës së punës, sipas industrisë, pensionin e parakohshëm të pleqërisë sipas moshës, pensionin e paplotë të pleqërisë sipas moshës, si dhe mundësinë për të blerë stazh shtesë, thonë nga LSM./Telegrafi/
