Fruthi është një infeksion tepër ngjitës që shfaqet me ethe, kollë dhe puçrra në lëkurë. Pas miratimit të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) në vitet 1960, përhapja e kësaj sëmundjeje ra ndjeshëm; madje, në vitin 2000, virusi u konsiderua i eliminuar në Shtetet e Bashkuara.
Të lidhura
None found
Pavarësisht kësaj, vitet e fundit janë shoqëruar me ulje të nivelit të vaksinimit, gjë që ka sjellë shtim të rasteve dhe shpërthimeve të fruthit në të gjithë Shtetet e Bashkuara, por edhe globalisht.
“Ka një numër në rritje njerëzish që nuk mund të vaksinohen ose nuk janë vaksinuar plotësisht”, tha Erica Ollmann Saphire, biologe strukturore dhe imunologe në Institutin La Jolla për Imunologji në një njoftim për shtyp. “Të njëjtët njerëz që nuk mund të vaksinohen ose nuk mund të vaksinohen ende, janë të njëjtët njerëz për të cilët një infeksion nga virusi i fruthit do të ishte më i rëndi – ose vdekjeprurës”.
Sipas revistës shkencore “The Scientist”, transmeton Klankosova.tv, kjo e shtyu atë dhe ekipin e saj të hartonin epitopet, pra pjesë të caktuara të virusit që identifikohen nga antitrupat e nxitur nga vaksina, si edhe të gjenin një terapi të posaçme kundër fruthit për këtë grup pacientësh më të cenueshëm.
Në studimin më të ri, të botuar në “Cell Host & Microbe”, Saphire dhe bashkëpunëtorët e saj identifikuan një grup antitrupash njerëzorë që veprojnë kundër virusit të fruthit te persona të vaksinuar me vaksinën MMR. Këta antitrupa u lidhën ose me proteinën e bashkimit të fruthit (F), ose me proteinën e ngjitjes (H) në sipërfaqen e virusit, dhe arritën të bllokonin infeksionin në një model kafshësh. Duke qenë se studiuesit vunë re si efekt mbrojtës parandalues, ashtu edhe terapeutik, kjo punë mund të orientojë zhvillimin e trajtimeve të ardhshme.
Pjesa më e madhe e antitrupave të krijuar nga vaksina lidhen me proteinën H. Megjithatë, një pjesë e antitrupave që synojnë proteinën F rezultojnë gjithashtu bllokues shumë të fuqishëm të virusit, edhe pse mënyra se si ndërveprojnë nuk është sqaruar plotësisht. Në një studim të mëhershëm, Saphire dhe kolegët e saj kishin përdorur mikroskopinë krio-elektronike për antitrupat kimerikë mi-njeri që synojnë proteinën F.
Përmes kësaj metode, ekipi arriti të shohë më qartë mënyrën se si këta antitrupa lidhen me virusin e fruthit. Kur virusi ndërvepron me një qelizë njerëzore, ai pëson një ndryshim forme për t’u bashkuar me veten [me membranën e qelizës amë dhe më pas infekton qelizën pritëse]. Veçanërisht, katër antitrupa të miut synuan konformacione të ndryshme të proteinës F: tre prej tyre u lidhën me epitope para bashkimit, duke penguar ndryshimin e formës dhe, si pasojë, duke ndaluar hyrjen e virusit në qelizë.
Në këtë punim të ri, studiuesit kërkuan të kuptonin nëse i njëjti model shfaqej edhe te antitrupat njerëzorë. Ata analizuan gjakun e një pacienti të vaksinuar më parë dhe izoluan një panel me 52 antitrupa anti-H dhe 46 antitrupa anti-F. Më pas, me anë të teknikave të imazherisë 3D, hartuan epitopet strukturore në këto proteina virale dhe mënyrën si ato ndërveprojnë me antitrupat njerëzorë: u identifikuan katër vende kryesore në proteinën H dhe pesë në proteinën F. Njësoj si në studimin e tyre të mëparshëm, këta antitrupa treguan gjithashtu aftësi neutralizuese.
“Ne zbuluam se këto antitrupa janë jashtëzakonisht të fuqishëm”, tha në një deklaratë bashkautori i studimit Dawid Zyla, i cili është një studiues postdoktoral në grupin e Saphire.
Kur paneli i antitrupave u testua në një model paraklinik me miun, studiuesit panë se, nëse administrohej para ekspozimit ndaj fruthit ose brenda 24 deri në 48 orësh pas infeksionit, ai ulte ngarkesën virale deri në 500-fish. Këta antitrupa mbrojtës synonin epitope të ndryshme dhe jo-konkurruese, çka sugjeron se mund të përdoren si një trajtim i fuqishëm për pacientët.
Edhe pse nevojitet punë shtesë për t’i çuar këto njohuri në praktikën klinike, studiuesit shprehen optimistë se gjetjet hapin rrugë të reja për ndërhyrje profilaktike ose terapeutike kundër fruthit. /Klankosova.tv
