Inflacioni i matur përmes Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) në qershor 2026 u regjistrua në 3,2 për qind, nga 2,4 për qind që ishte në qershor 2025, sipas raportit të INSTAT.
Ky përbën nivelin më të lartë të shënuar që prej janarit 2024. Rritjen e kanë shtyrë kryesisht shtrenjtimi i ushqimeve, qirave dhe transportit.
Të lidhura
None found
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në qershor, inflacioni vjetor është ndikuar më së shumti nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me +1,02 pikë përqindje, ndërsa pas tij renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me +0,96 pikë përqindje.
Ndikim kanë dhënë edhe çmimet e grupit “Transporti”, me +0,21 pikë përqindje; “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me nga +0,19 pikë përqindje secili; si edhe grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, me +0,18 pikë përqindje. Po ashtu, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” ka kontribuar me +0,14 pikë përqindje, “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,12 pikë përqindje, “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,08 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje, “Shëndeti” me +0,06 pikë përqindje, “Informacioni dhe komunikimi” me +0,02 pikë përqindje, ndërsa “Veshje dhe këpucë” ka dhënë një ndikim negativ prej -0,03 pikë përqindje.
Ky inflacion e ka tejkaluar tashmë objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit, instrumenti kryesor për frenimin e inflacionit, duke e lënë atë në 2.5%.
Guvernatori Gent Sejko, deklaroi në takimin e fundit se skenari bazë parashikon që rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare të sjellë një shtim të lehtë dhe të përkohshëm të inflacionit mbi objektiv gjatë vitit 2026, si dhe një ngadalësim të vogël të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Sipas tij, mbi këto supozime, pasojat e kësaj goditjeje pritet të mbeten kalimtare dhe të mos lënë ndikime afatgjata në ecurinë e zhvillimit të vendit.
Sipas INSTAT, në krahasim me qershorin 2025, rritjen më të fortë të çmimeve e ka shënuar grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6,1%, i ndjekur nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 5,1%, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,5%, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 3,3%, “Transporti” dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,2% secili, si edhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0%, etj. Ndërkohë, grupi “Veshje dhe këpucë” ka pësuar ulje prej 0,9%./ Monitor
