Nënë e bir humbën jetën ditën e sotme në Berat, pasi makina me të cilën po udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Osum.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën urbane “Antipatrea”, pranë vendit të quajtur “Ura e re”. Sipas policisë, K. Xh., duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumë. Për pasojë ka ndërruar jetë ajo dhe djali 6 vjeç.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thonë për ABC se djali i mitur kishte vigon në dorë dhe dyshohet se kanë qenë duke shkuar në spital, për këtë arsye dyshohet se nëna ishte duke ecur tej normave te lejuara.
Sakaq, aksidente të ngjashme janë regjistruar të paktën edhe dy herë të tjera në Berat. Për shkak të mungesës së mbrojtëseve anësore makinat kanë përfunduar në lumin Osum.
Njoftimi i policisë:
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në rrugën urbane “Antipatrea”, pranë vendit të quajtur “Ura e re”, shtetasja K. Xh., duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumë.
Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesja e mjetit dhe fëmija i saj rreth 6 vjeç.
Grupi hetimor në vendngjarje po kryen veprimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.