Ishte në lidhje me një 15 vjeçar, i dashuri boksier rreh për vdekje mësuesen britanike

Një boksier britanik ka vrarë ish-partneren e tij mësuese, pas shantazhit për një marrëdhënie seksuale që ajo kishte nisur me një djalë 15 vjeçar pas ndarjes, u tha sot në gjyqin e vrasësit në Newcastle.

Ish-i dashuri xheloz Paul Robson 50 vjeç, i dënuar më parë për dhune, kreu sulmin barbar ndaj 47 vjeçares Caroline Kayll dhe të dashurit të saj adoleshent, pasi i kishte përgjuar jashtë shtëpisë së gruas në Northumberland, nëntorin e shkuar, u tha sot në gjykatë.

Gjykimi ka nisur të hënën por është bërë publik vetëm sot, pasi gjykatësi hoqi kufizimet e publikimit pas dhënies së dëshmisë nga adoleshenti nën moshë.

Robson kishte rrëzuar përtokë ish-partneren e tij dhe e kishte goditur pambarimisht me këmbë në kokë duke e lënë me plagë të papërballueshme, ndërsa gjithashtu i kishte shkaktuar prerje të shumta me thikë.

Ndërsa disa plagë në qafë e në sytë tregonin se gruaja gjithashtu ishte mbytur.

Robson kishte sulmuar më tej djalin me gërshërë dhe një hanxhar mishi.

Ish-luftëtari i kategorisë MMA, mohon vrasjen e gruas, me të cilën ishte njohur në burg Northumberland, kur ai ishte i burgosur dhe ajo ishte mësuese. Ai më tej kishte sulmuar dhe tentuar të shantazhonte djalin, i cili nuk është emëruar për arsye ligjore.

I akuzuari pretendon se djali adoleshent ka sulmuar zonjën Kayll, diçka që është mohuar prej tij.

Robson dhe Kayll, kishin jetuar së bashku në shtëpinë e gruas Linton por ishin ndarë disa javë para vrasjes. Burri kishte zbuluar se ajo kishte nisur një marrëdhënie me adoleshentin, të cilën nuk dëshironte ta bënte publike.

Prokurori Nicholas Lumley tha se Robson po i bënte shantazh ish-të dashurës duke i kërkuar 35,000 paundë, përndryshe do të tregonte sekretin e saj në shkollën ku punonte për ta shkatërruar.

Dhe në fakt gjatë një periudhe prej 10 ditësh në nëntor, gruaja kishte transferuar 29,000 paundë te Robson dhe kishte marrë një hua prej 10,500 paundë.

Disa ditë më vonë Robson i kishte dërguar mesazhe një fqinjit të tyre të përbashkët duke i treguar për marrëdhënien e Kayll me djalin, ku dhe thoshte se “po e humbiste mendjen”, sipas prokurorit.

Më 15 nëntor, ai erdhi me makinë nga Glasgow në Skoci drejt Linton, i pajisur me kyç dere, gjurmues GPS, pinca e kaçavida.

I akuzuari trupmadh ishte kapur nga kamerat e sigurisë duke përgjuar jashtë shtëpisë së gruas.

Më vonë dëshmitarët kishin dëgjuar një zë gruaje që thoshte “dil jashtë” dhe atë mbrëmje  Robson kishte trokitur në shtëpinë e fqinjëve për t’i thënë se  ‘Caroline është në gjendje të keqe’, shtoi prokurori Lumley.

Infermierja Barbara Lee shkoi menjëherë në shtëpi dhe tha në gjykatë se brenda gjeti shumë gjak dhe flokë të prerë, ndërsa zonja Kayll ishte me fytyrë përtokë.

Në shtëpi ishte gjithashtu adoleshenti, në gjendje të shokuar dhe i gjakosur, tha dëshmitarja.

Zonja Lee tentoi të jepte ndihmën e parë dhe kur erdhi ambulanca zonja Kayll u dërgua në spital, ku skanimet tregonin dëme të rënda në tru.

“Këto ishin veprimet e një njeriu hakmarrës, e gjithashtu xheloz”, tha prokurori Lumley.

Robson kishte marrë të dy celularët dhe postoi mesazhet e tyre në Facebook për të ekspozuar aferën mes tyre, tha Lumley.

Zonja Kayll kishte punuar si punonjese sociale, me pas si mesuese ne burgun e Northumberland dhe me tej ishte bere mesuese shkolle. Disa vite me pare ajo ishte ndare nga bashkeshorti.

Gjyqi vazhdon.


Shtuar 18.03.2021 15:41