Ish-presidenti ukrainas: Putin dëshiron të shkatërrojë të gjithë Perëndimin

Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka paralajmëruar se Vladimir Putin i Rusisë nuk do të ndalet së pushtuari Ukrainën nëse Perëndimi nuk ndërhyn.

Duke folur për Sky News, ai tha se Putin po kërkon Krimenë dhe rajonin e Donbasit nga Ukraina sot, por nesër ai do të kërkojë Skocinë nga Britania e Madhe dhe Alaskën nga SHBA.

“Ai dëshiron të shkatërrojë jo vetëm Ukrainën, por të gjithë Perëndimin, përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA-në”, tha ai.

“Mos u përpiqni të bëni një kompromis me Putinin,” paralajmëroi ai, duke argumentuar se presidenti rus “do të shkojë gjithmonë më tej”.

Poroshenko tha se sulmi ajror në Lviv gjatë fundjavës, vetëm një distancë e shkurtër nga kufiri polak, ishte “simbolik” dhe tregoi se Putini është i gatshëm ta çojë konfliktin një hap më tej.