Investigimi për energjinë, deputeti i PD: Si do e pësojnë 230 mijë abonentë familjarë për të mbushur “gropën e zezë”

Deputeti i PD-së Dashnor Sula iu referuar investigimit të publikuar dje nga Investigative Network Albania (INA), sipas të cilit gjatë dy viteve të fundit ka patur një keqmenaxhim të kaskadës së Drinit duke e futur vendin në një krizë energjetike, gjë që pritet të kulmojë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për rreth 230 mijë abonentë familjarë.

Sula shprehet përmes një postimi në Facebook se shifrat e publikuara tregojnë në fakt dështimin e qeverisë në menaxhimin e burimeve natyrore të vendit duke na çuar në një situatë si kjo e tanishmja.

“Të gjitha të dhënat tregojnë për dështimin e menaxhimit nga ana e qeverisë. Ndaj dështimin e tyre nuk duhet ta paguajnë qytetarët të cilët çdo ditë e më shumë po varfërohen dhe nuk po kanë mundësi të blejnë ushqimet bazë por, duhet ta paguajn ata që kane dështuar mbase edhe me qëllim në administrimin e rezervave hidrike. Nevojitet edhe një hetim nga ana e prokurorisë për të zbardhur nëse ka patur interesa rryshfeti që kanë çuar në keqmenaxhimin e situates”, shkruan Sula në Facebook.

Postimi i plotë:

Prej dështimit të vet, qeveria do të rris çmimin e energjisë elektrike.

Qeveria e pangopur për të zbrazur xhepat e qytetarëve po planifikon që të rris çmimin e energjisë elektrike për qytetarët. Sipas një investigimi të INA media që mbështetet nga ambasada e SHBA mësohet se për 230 mijë familje shqiptare pritet të kthehen faturat me fasha, duke sjellë rritjen e çmimit për qindëra mijëra familje. “Burime konfidenciale paralajmërojnë një tjetër stinë të vështirë për rreth 230 mijë familje, që mund të preken nga rikthimi i faturës me fasha, një skemë kjo për të mbushur gropën e zezë të financave në këtë sektor”, thuhet në artikullin e publikuar.

Është e vërtetë që në botë ka një krizë të energjisë elektrike, por Shqipëria e cila ka burime pafund për të siguruar autonomi nga tregu i jashtëm, po vuan aktualisht për shkak të dështimit të institucioneve shqiptare. Po ju jap vetëm një fakt që vërteton dështimin e Ministrisë së Energjetikës dhe të gjithë institucioneve poshtë sajë. Përgjatë vitit 2021 i cili u konsiderua si një vit i thatë, Shqipëria konsumoi gjithsej 8,415 Gë/h energji elektrike, ndërkohë që sistemi energjetik shqiptar prodhoi gjithsej 8,962 Gë/h.

Pra, ne kemi prodhuar më shumë energji sesa nevoja që kemi. Por bilanci financiar në institucione është katastrofik. Kemi shpenzuar qindëra miliona euro për të blerë energji. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit të institucioneve shtetërore. Dështuan agjencitë e parashikimit, dështuan organet e planifikimit të menaxhimit të rezervave hidrike. Në një vit të thatë si 2021 Shqiperia ka shitur energji elektrike me çmim shumë të lirë. Sikur të mos kishim të bënim me një krizë. Gjatë 2021 ne kemi shitur energji elektrike me çmim nga 50 deri në 150 euro për MëH në një kohë që kur dilnim në bursë e blenim me 300-400-500 euro/MëH.

Skandali tjetër është se përgjatë muajve të verës (korrik-gusht-shtator), kaskada e Fierzës është mbajtur historikisht në nivelet mesatare 289.4-285-279.4, ndërsa në vjeshtë KESH-i futej me Fierzën në nivelet 275.4. metra. Situata ndryshoi krejtësisht gjatë vitit të shkuar dhe këtë vit, ku niveli i HEC-it të Fierzës në shtator 2021 ishte 271.3, kurse tetori e gjeti në 266.7 metra.

Të gjitha të dhënat tregojnë për dështimin e menaxhimit nga ana e qeverisë. Ndaj dështimin e tyre nuk duhet ta paguajnë qytetarët të cilët çdo ditë e më shumë po varfërohen dhe nuk po kanë mundësi të blejnë ushqimet bazë por, duhet ta paguajn ata që kane dështuar mbase edhe me qëllim në administrimin e rezervave hidrike. Nevojitet edhe një hetim nga ana e prokurorisë për të zbardhur nëse ka patur interesa rryshfeti që kanë çuar në keqmenaxhimin e situatës!/albeu.com/