Inskenuan grabitjen, drejtori dhe specialisti i zyrës së pronës në Vlorë pezullohen nga detyra

Kryetari i Qarkut të Vlorës Ervis Moçka ka pezulluar nga detyra drejtorin e drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së Tokës Bardhyl Gjika dhe specialistin Kreshnik Mino pasi kanë inskenuar grabitjen e zyrave.

Grabitja e ndodhur 4 ditë më parë në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë, ku një person me maskë dhe i armatosur hyri në zyrat e pronave, duke marrë dy dosje për pronat në Dhërmi është zbardhur ditën e sotme. Rezulton se e gjithë ngjarja është inskenuar nga Bardhyl Gjika dhe specialisti i kësaj drejtorie, Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni, të cilët u arrestuan ditën e sotme.

Këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërmi, por më pas nga frika për të mos u kapur, inskenuan grabitjen e dosjeve.

Ishte vetë Gjika drejtori i kësaj zyre i cili 3 ditë më parë “zbardhi” skemën se si hajdutët kishin hyrë në godinë. Në një prononcim për medie Gjika tregoi se grabitësi ishte futur nga dritarja e zyrës së zëdhënësit dhe kishte dalë nga dera kryesore pasi kishte thyer dyert e dy zyrave, asaj të pronës dhe të Mbrojtjes së tokës. Si duket pa e kuptur Gjika ka treguar më shumë detaje se ç’duhet të grabitjes që kishte inskenuar vetë.


Shtuar 15.10.2021 11:40