“S’plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”, Komisioneri Publik ankimon vendimin për Elizabeta Imeraj

Institucioni i Komisionerëve Publikë ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores Elisabeta Imeraj.

Me anë të një njoftimi zyrtar, IKP kërkon që të merret parasysh rekomendimi i Operacionit Ndërkombëtar të Apelimit, insitutucion që pretendon se Imeraj nuk i plotëson kushtet për të vijuar detyrën.

“Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr.363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj,”-shkruhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj me detyrë prokurore/ Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr.363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj.

ONM i rekomandoi të hënën Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës. ONM-ja shprehet se një kredi prej dy milion lekësh e marrë prej saj dhe bashkëshorti i saj, me të cilin është divorcuar në vitin 2019 është tejet e dyshimtë. ONM-ja përmend dhe një çështje që përfaqësuesit e saj e kishin ngritur dhe gjatë procesit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.


Shtuar 5.07.2021 23:22