Hodhi nga dritarja e makinës pistoletën dhe fishekët kur pa policinë, arrestohet 40-vjeçari në Tiranë

Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi hodhi nga makina një çantë në të cilën kishte pistoletë fishekë dhe një palë pranga.

40-vjeçari hodhi çantën nga dritarja e makinës në momentin që pa punonjësit e policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në rrugën “5 Maji”, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Flagranca”, për kapjen e tij.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi M. N., 40 vjeç, banues në Shëngjin.

Në rrugën “5 Maji”, shtetasi M. N., sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka hedhur nga dritarja e automjetit, çantën ku mbante një pistoletë, fishekë dhe një palë pranga. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke kapur dhe vënë në pranga drejtuesin e automjetit, shtetasin M. N.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë, municionin luftarak dhe një palë pranga si të Policisë, që u gjetën në çantën që ky shtetas hodhi në tokë, për të shangur përgjegjësinë ligjore.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/


Shtuar 7.06.2023 13:10