“71 për qind të tokës është e mbuluar me ujë, ndërsa 29 për qind me N’Golo Kanten”.
Kjo është një shaka që po qarkullon në rrjetet sociale dhe që përshkruan më së miri lojën e këtij futbollisti. Skuadra e Chelseat është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve pas eliminoi Real Madridin në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 3:1. Në finale, Chelsea do të përballet me Manchester Cityn, ndeshje kjo që do të zhvillohet më 29 maj në Stamboll.
Një nga lojtarët kryesorë te Chelseat ndaj Realit ishte pikërisht Kante, mesfushori i palodhur francez dhe udhëheqësi i heshtur i londinezëve. Kante është një nga futbollistët më të dashur për përkushtimin, ndrojtjen dhe përulësinë e tij, vlera që kanë të bëjnë shumë me origjinën e tij në periferi të Parisit ku ai u rrit. Në fakt, rrëfimi i tij jetësor është motiv për të gjithë fëmijët që një ditë ëndërrojnë të bëjnë karrierë të madhe nëpër klubet e rëndësishme të Evropës.
Është i lindur në vitin 1991 në Paris, kurse prindërit e tij kanë migruar në Francë nga Mali, 11 vjet para lindjes së Kantes. Ylli i futbollit është rritur në një familje të shtresës së varfër, kurse si fëmijë mbeti pa babanë. Kështu që e gjithë barra për rritjen e fëmijëve ra mbi nënën e tij, e cila punonte si pastruese. Kante është rritur në periferinë Rueil-Malmaison të Parisit, kurse për ta ndihmuar familjen e tij si shtatëvjeçar ai punonte. Angazhohej për të mbledhur mbeturina, të cilat i shiste pastaj. Ai nisi të mblidhte mbeturina në vitin 1998 pikërisht kur Përfaqësuesja e Francës e fitoi titullin e parë të botës. Kante gjatë kësaj kohe punonte dhe fitonte para mjaftueshëm për familjen e tij. Grumbullonte mbeturinat në sheshet e mëdha ku ndiqeshin ndeshjet e kampionatit botëror “Franca 1998”. Popullariteti i futbollit në Francë u rrit shumë pas triumfit në Kampionatin Botëror, dhe disa akademi futbolli u hapën afër shtëpisë së Kantes. Njërës prej tyre iu bashkua edhe Kante, i cili më pas vazhdoi të zhvillohej si futbollist në kampionatin lokal të ligës Suresnes.
Edhe pse ishte shumë më i shkurtër se shokët e tij të rinj, trajnerët e panë që në fillim se ai kishte “diçka” që i duhej për t’u bërë një futbollist i mirë. Klubi i tij filloi të fitonte turne në nivelin lokal dhe Kante po bëhej gjithnjë e më i popullarizuar me trajnerët dhe shokët e tij të skuadrës. Ata admironin modestinë, përulësinë dhe vullnetin e tij për të pasur sukses dhe kur ai u bë një futbollist me famë botërore, një nga trajnerët e tij në ligën Suresnes u tregoi mediave franceze:
“Kante ishte i vetmi lojtar që dëgjoi dhe bënte absolutisht gjithçka që i kërkohej. Para pushimit të verës bëra shaka me të dhe i thashë se po i jepja dy muaj afat për të bërë 50 prekje të topit me këmbën e majtë, pastaj 40 me të djathtën dhe 50 me kokë. Dy muaj më vonë ai pati sukses. Unë u trondita dhe që nga ai moment nuk i thashë më kurrë se çfarë të bënte. Unë vetëm ia lashë natyrës të vendosë çështjen e tij”, tha njëri nga trajnerët e Kantes.
Disa vjet më vonë, në vitin 2010, puna e madhe e Kantes dha rezultat. Falë lidhjeve të tij, presidenti i akademisë JS Suresnes e ndihmoi Kanten të bashkohej me ekipin rezervë të Boulognes. Ai bëri debutimin e tij për ekipin e parë të këtij klubi në Ligue 2 në maj të vitit 2012. Kundërshtari ishte Monaco, dhe Kante luajti në 11 minutat e fundit të ndeshjes. Sezonin vijues ai luajti 37 ndeshje në kategorinë e tretë të futbollit francez. Lojërat e mira i sollën atij një transferim te Caen, ekip me të cilin arriti të promovohej në Ligue 1 në sezonin e tij të parë. Ndërsa në vitin 2015, Kante u transferua te Leicesteri, ekip me të cilin fitoi në mënyrë të bujshme titullin e kampionit në Premier League. Ishte Kante ai që konsiderohej lojtari kryesor në këtë arritje dhe trajneri i tij i atëhershëm Claudio Ranieri tha në një deklaratë pas ndeshjes: “Ai Kante i vogël po vrapon aq shumë, saqë në një moment mendova se kishte bateri të fshehura në pantallona. Edhe në stërvitje vrapon si i çmendur dhe për mua Kante është i mahnitshëm”.
Kante e kaloi vetëm një sezon te Leicesteri për të kaluar te Chelsea në vitin 2016. Përulësia, besimi në sukses dhe puna e palodhshme dhanë rezultat, por ndryshe nga shumë lojtarë, fama e Kantes nuk e goditi atë në kokë. Ai kurrë nuk mburrej, nuk shpërdoronte para dhe ishte gjithmonë në shërbim të familjes së tij. Ai ndihmoi vëllanë dhe nënën e tij të fillonin biznesin e tyre dhe është një nga lojtarët e paktë që respektohet nga tifozët e klubeve kundërshtare.
Sa i përket karrierës së tij në Përfaqësuese, Kante kishte një ftesë nga Mali në dy raste, por ai donte të luante për Francën. 30-vjeçari besoi në cilësinë e tij dhe përfundimisht mori ftesën. Kante bëri debutimin e tij për Francën më 24 mars të vitit 2016 dhe dy vjet më vonë e fitoi Kupën e Botës.
Sa u përket ndeshjeve me Real Madridin në gjysmëfinale, mjafton fakti se Kante brenda tetë ditëve u shpall lojtari më i mirë në këto përballje të Chelseat në Ligën e Kampionëve.