Hetimi për krime lufte në Ukrainë, vetë Putin pritet të bashkëpunojë

Duket se edhe vetë presidenti rus, Vladimir Putin, do të bashkëpunojë për të ndihmuar në zbardhjen e krimeve të luftës që janë bërë në Ukrainë.

Kjo pas akuzave të përsëritura, nga ana e komunitetit ndërkombëtar mbi krimet e luftës.

Vladimir Putin do të bashkëpunojë në hetimin për krime lufte të kryera, sipas komunitetit ndërkombëtar, nga forcat ruse në Ukrainë.

Këtë ia ka konfirmuar vetë Presidenti rus kancelarit austriak, Karl Nehammer, gjatë takimit të tyre në Moskë, më 11 prill. Kjo është hera e parë që vjen një qëndrim i tillë nga Putin, i cili deri më tani, masakrat dhe pretendimet e Ukrainës për krime lufte dhe gjenocid ndaj civilëve i ka cilësuar provokime dhe të fabrikuara.

Bisedën e kancelarit austriak me presidentin rus e komentoi dhe Mikhail Podolyak, këshilltar i Presidentit të Ukrainës. Duke iu përgjigjur bindjes së shprehur nga Putin se do ta fitonte luftën, ai tha se “iluzione të tilla çojnë gjithmonë në tragjedi”.

“Federata Ruse do të humbasë. Në aspektin ushtarak, ekonomik dhe gjeografik”, shkruan Podolyak në një status në Twitter. Këshilltari i Presidentit Zelensky shtoi se Rusia është një vend i refuzuar nga shoqëria, me një profil negativ në librat e historisë.

“Kjo do të jetë fitorja e tyre”, përfundoi ai.

Ndërkohë, sa i përket krimeve të luftës, Ukraina po mbledh prova për rreth 6 mijë raste të dyshuara. Vetëm në rajonin e Kievit janë zbuluar trupat e mbi 1 mijë civilëve të vrarë, mes tyre ka dhe fëmijë.