Greqia i kërkoi të anulojë vizitën, Rama nuk heq dorë, fton emigrantët shqiptarë për takim në Athinë

Greqia i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama, që të anulojë vizitën në Athinë, por siҫ duket kreu i shtetit nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Rama ka kujtuar të gjithë bashkatdhetarët në Greqi, se në 12 Maj do të jetë në Athinë.

Kryeministri Rama, do të nisë një tur takimesh me diasporën në shtete të ndryshme të Evropës gjatë muajit maj, ku ka planifikuar edhe një vizitë në kryeqytetin grek.

Rama do nisë turin e takimeve në kuadër të rienergjizimit të PS-së, ku shkruan se do të jetë në Athinë më 12 Maj, ku do të takohet me emigrantët shqiptarë atje.

Postimi i Ramës:

“MIRËMËNGJES dhe me një kujtesë për ata ndër ju që janë në Greqi, se në 12 maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë krenarë për Shqipërinë, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Mediat greke, kishin paralajmëruar se qeveria e këtij vendi kishte kundërshtuar vizitën e kryeministrit shqiptar, për shkak të raporteve të acaruara mes dy shteteve.

Një burim tha se kreut të qeverisë së Edi Ramës, i është kërkuar të shtyjë vizitën pas datës 9 qershor kur në Greqi, sikurse dhe në vendet e tjera të BE do të votohet për Parlamentin Europian.

Pas Athinës, më 26 maj Rama do të jetë në Milano, më 2 qershor në Londër dhe në 16 qershor në Duseldorf.

Një nga arsyet e këtij turi, është për t’ju bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në diasporë, që të kthehen për të jetuar dhe investuar në Shqipëri.

Pak ditë më parë, gazeta greke “Kathimerini”, shkruante se vizita ka shqetësuar jo pak Athinën zyrtare dhe lidhet më shumë me frikën se Rama, mund të ndikojë në orientimin e votës së emigrantëve për zgjedhjet e deputetëve helen për Parlamentin Europian.

Sipas gazetës “Kathimerini”, autoritetet greke i kanë kërkuar bashkëpunëtorëve të shefit të qeverisë shqiptare, që të shtyjë takimin me emigrantët pas 9 qershorit, datë e cila përkon me ditën e zgjedhjeve për eurodeputetët.

Gjithashtu, në shkrim thuhet se bashkia ja ka revokuar lejen e mitingut organizatorëve, e cila është parashikuar të mbahet pranë stadiumit Galatsi.

Kathimerini, shkruante se i referohet burimeve diplomatike shqiptarë dhe greke, sipas të cilave, më këtë vizitë kryeministri Rama, mund të orientojë votën e shqiptarëve si një kundërpërgjigje për kandidimin për zgjedhjet europiane të Fredi Belerit, për llogari të partisë së shefit të qeverisë greke Kiriakos Mitostakis.

Megjithatë, thotë gazeta greke, një ngjarje e tillë, edhe nëse Rama i shmang referimet përzgjedhjet europiane, në çdo rast do të përbënte përfshirje indirekte në proces.

Kryeministria nuk pati ndonjë reagim për kërkesë nga Greqia për shtyrje, apo nëse ka një plan që takimi i 12 majit të zhvendoset pas përfundimit të zgjedhjeve europiane.


Shtuar 4.05.2024 11:40