Gjykata del kundër vendimeve të qeverisë Rama, ndalon të shemben tre pallate në Tiranë

Ditën e sotme Gjykata Administrative e Tiranes ka dalë me një tjetër vendim, i treti ky ne radhe, i cili pengon prishjen e ndërtimeve në Kombinat. Ky vendim bie ndesh me planet e parashikuara të qeverisë, ku sipas tyre janë parashikuar të shemben 23 ndërtesa të tilla, në vijimësi të procesit të rindërtimit.

Me anë të një njoftimi për mediat, Gjykata bën të ditur se procesi i rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga tërmeti në Shqipëri po ecën jo vetëm me ritme të ngadalta por vendimet për prishjen e ndërtesave kanë ngjallur pakënaqësi te familjet e prekura.

Deri më tani kanë ndodhur dhjetëra protesta të banorëve që kontestojnë procesin si në Shkozë, Kombinat, Vorë dhe Durrës.

NJOFTIMI:

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të martën pezullimin e çdo veprimi për prishjen edhe të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Kombinat. Ky është vendimi i tretë dhënë nga gjykata Administrative që pengon prishjen e ndërtimeve në këtë zonë, ndërkohë që sipas planeve të rindërtimit të qeverisë janë parashikuar të shemben 23 ndërtesa të tilla.Banorët e pallatin nr. 145, në rrugën “Sokrat Mosko” në lagjen Kombinat iu drejtuan gjykatës pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur prishjen e ndërtesës me argumentin se objekti ka dëmtime të konsiderueshme.

Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak në shtator të vitit 2020, por në gjykatë banorët prezantuan prova dhe ekspertizë se vendimmarrja është marrë mbi fakte të pavërteta. Dëmtimet reale janë vetëm të dorës së dytë, më së shumti dëmtime të suvasë, ndërsa në aktin e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit thuhet se dëmtimet janë të rënda, duke paraqitur se vlera e riparimit të pallatit është sa 72 % e kostos së rindërtimit.Aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit janë kontestuar nga banorët e prekur dhe ky është rasti i tretë është që gjykata vendosi pezullimin e vendimeve administrative për prishjen e ndërtesës deri në gjykimin e plotë të çështjes.

Manipulimi i akteve të ekspertimit

Ka mjaftuar një akt i përciptë ekspertimi nga Instituti i Ndërtimit që një vit më vonë Bashkia e Tiranës ta vendosë ndërtesën në zonën e Kombinatit, në listën e atyre objekteve që duhet të shkatërrohet.Banorët janë njohur me këtë Vendim vetëm kur nisën të shfaqen fadromat në Kombinat.Banorët e zonës iu drejtua avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule për të mësuar ligjshmërinë e vendimeve, por ajo që u zbulua ndoshta përbën skandalin më të madh të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri. Akti i ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Bashkisë së Tiranës, ishte i pasaktë në fakte dhe në shifra.

Në kërkesën për sigurimin e padisë së dërguar në gjykatë familjet e dëmtuara pretendojnë paligjshmërinë e vendimit të këshillit bashkiak i cili bazohet vetëm mbi aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, që sipas tyre nuk pasqyron realitetin.

” Masa e sigurisë së dhënë sot nga gjykata i jep mundësi gjykimit të vazhdojë në diskutimin e paligjshmërisë së vendimit të Këshillit Bashkiak, para se ky Vendim të ekzekutohet dhe të sjellë pasoja të pariparueshme për ta,-thotë avokatja e çështjes Irena Dule.

Por më shumë se sa një proces i një beteje ligjore në gjykatë, avokatët kanë konstatuar problemë mbi aktet e Institutit të Ndërtimit, mi bazën e të cilave janë vendosur jo vetëm planet e qeverisë për rindërtimin por edhe vendimet e shembjes së godinave.

“Ajo që po vëmë re si rast të përsëritur në zonën e Kombinatit është se aktet e ekspertimit bashkë me oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit, ku janë bazuar vendimet e këshillit bashkiak nuk pasqyron realitetin. Kjo e konstatuar nga aktet e ekspertizave private të paraqitura nga banorët dhe të prezantuara para gjykatës, sipas të cilave vlerat e riparimit janë shumë më të ulëta në realitet. Po ju përmend si shembull se në një rast, akti i ekspertimit i paraqitur nga Instituti i Ndërtimit nxjerr si vlerë për riparimin 72% të vlerës së rindërtimit, ndërkohë ekspertiza private e llogarit këtë vlerë në masën 9%. dhe të kemi parasysh se akti Normativ nr 9/2019 përcakton se nëse vlera e riparimit kalon vlerën 70 përqind të rindërtimit atëherë pallati duhet të shembet. Mbi këtë logjikë është vendosur shkatërrimi i ndërtesave dhe pallateve në Kombinat”- shpjegon avokatja Dule.

Nisur nga rastet që kjo studio ligjore ka marrë përsipër të përfaqësoj në gjykatë, Dule thotë se është rasti të bëhet një auditim i të gjitha akteve të dorëzuara nga instituti i ndërtimit.

” Nisur nga fakti që tre çështje që kanë ndodhur në zyrën tonë kanë pasur të njëjtën problematikë na bën të dyshojmë se ky rast mund të jetë i përsëritur në çështje të ngjashme. Në këtë konteksti i bëj thirrje Institutit të Ndërtimit dhe Bashkisë që të rishikojnë aktet e ngjashme për pallatet e tjera ose ftoj banorët që të paktën të jenë skeptik mbi ligjshmërinë e akteve të prodhuara nga institucionet shtetërore, dhe në raste të konstatimit të së njëjtës problematikë të ndërmarrin hapa ligjore në kërkim të së drejtës së tyre”- deklaroi Dule. Procesi i rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga tërmeti në Shqipëri po ecën jo vetëm me ritme të ngadalta por vendimet për prishjen e ndërtesave kanë ngjallur pakënaqësi te familjet e prekura. Deri më tani kanë ndodhur dhjetëra protesta të banorëve që kontestojnë procesin si në Shkozë, Kombinat, Vorë dhe Durrës.Pothuajse një vit më parë, Shqipëria siguroi në konferencën e donatorëve të mbajtur në Bruksel nga Bashkimi Evropian mbi 1 miliardë euro zotim për fonde nga vende të ndryshme të botës. Nga këto fonde të premtuara, 295 milionë prej tyre ishin grante dhe 853 milionë premtime për kredi të buta, të cilat parashikonin mbështetje për projekte sociale, trajnime apo dhe pajisje të strukturave të emergjencave.

 


Shtuar 25.05.2021 17:32