Gjermania dhe Franca, më 25 nëntor, nënshkruan deklaratën e përbashkët për forcimin e solidaritetit energjetik, raporton Reuters. Deklarata u nënshkrua në Berlin nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja franceze Elisabeth Borne.
“Franca dhe Gjermania po intensifikojnë bashkëpunimin në sektorin e energjisë me solidaritet dhe fqinjësi të mirë. Ne tashmë po furnizojmë me energji elektrike fqinjët tanë, përfshirë Francën. Me këtë marrëveshje të përbashkët, ne theksuam solidaritetin tonë energjetik: miqtë mbështesin njëri-tjetrin në kohë krize. Gjermania dhe Franca tregojnë se çfarë është solidariteti evropian”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët për media.
Sipas Elizabeth Borne, bëhet fjalë për një “tekst të rëndësishëm që do të ketë efekte konkrete dhe që mbron qytetarët e të dy vendeve”.
“Dy vendet tona kanë nevojë për njëra-tjetrën për të kapërcyer krizën energjetike në dimrin e ardhshëm”, tha Borne.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë acaruar muajt e fundit për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi çështje kyçe, siç janë: energjia, mbrojtja dhe politika industriale.
Vizita e Elizabeth Borne në Berlin konsiderohet si përpjekje për të shkrirë marrëdhëniet.
Scholz tha se Gjermania dhe Franca mbështesin luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus dhe i bëri thirrje Rusisë të ndalojë bombardimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës. /REL/