Fushata e vaksinimit ende nuk ka nisur, Hasani: Këtë e bëjmë me vetëdije, ngaqë nuk kemi vaksina

Imunizimit të popullatës me vaksina anti-covid në vend, nuk po i paraprin një fushatë sensibilizuese. Nëpër rrjete sociale më shumë qarkullon një anti-fushatë për vaksinim me teori të shumta konspirative, e cila ngre dyshime te qytetarët për përmbajtjen dhe cilësinë e vaksinave.

Ka dy muaj që kur ka nisur vaksinimi, e metoda e vetme që po e përdor Ministria e Shëndetësisë për t’i thirrur qytetarët për vaksinim, janë apelet nëpërmjet mediave e rrjeteve sociale. Pikërisht dje ministri i këtij dikasteri Venko Filipçe në Facebookun e tij ftoi qytetarët që të caktojnë termine për vaksinim. Ndërkaq Zv/ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani thotë se fushatën nuk e kanë nisur me qëllim.

“Ne në mënyrë të vetëdijshme jemi të përmbajtur në apel derisa mos t’i marrim vaksinat në numër të mjaftueshëm dhe të vazhdojmë me të gjitha kapacitetet që i kemi me vaksinimin e mëtutjeshëm. Kjo do të thotë se ne për momentin diku bëjmë rreth 2000-2500 vaksinime në ditë, ndërsa kemi kapacitet shumë më të madh që të bëjmë vaksinim por i presim numrat dhe vaksinat që të na mbërrijnë çdo moment. Nuk është kjo kritikë por është strategji e planifikuar”, deklaroi Hasani.


Shtuar 11.04.2021 18:15