Furrat rritën çmimin e bukës sipas “terezisë”, asnjë reagim nga Autoriteti i Konkurrencës

Prej ditësh në Shqipëri, buka po tregtohet më shtrenjtë, duke u shtuar një tjetër “taksë” në xhepat e shqiptarëve.

Rritja e çmimit me 10 lekë, ose me 14 %, ka sjellë reagime të forta nga qytetarët të cilët janë të detyruar ta blejnë atë edhe me rritje duke qënë se është produkti primar në çdo tryezë.

Sipas Monitor, shumë furra buke në Tiranë e kanë aplikuar këtë rritje prej të paktën 2 javësh, dhe në rastet kur nuk është aplikuar rritja e çmimit, është hequr reduktuar masa e miellit për një bukë.

Ndërkohë që kjo rritje tashmë është bërë publike, dhe pritet të bëhet normë në të gjithë vendin, Autoriteti i Konkurrencës hesht.

Pavarësisht faktorëve të cilët kanë ndikuar në rritjen e çmimit të bukës, Autoriteti i Konkurencës duhet të kishte reaguar që në ditët e para të këtij fenomeni për të parandaluar konkurrencën  e pandershme, dhe jo vetëm.

AK ka dështuar jo vetëm për të parandaluar një rritje çmimi sipas interesave të furrave por ka dështuar edhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të cilët përballen me “taksa” të tilla, të paparalajmëruara më parë, raporton albeu.com.

“Nga disa operatorë në treg ka pasur rritje të çmimit të bukës me 10 lekë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të mileit me 5 lekë/kg, rritjes të çmimit të vajit, margarinës. Rritja ka qënë individuale, për shkak edhe të qirasë apo kredisë që mund të kenë prodhuesit e bukës.

Vështirësi janë krijuar edhe nga mungesa e punonjësve, që shumë prej tyre po emigrojnë, pasi kërkojnë paga të larta.

Ende nuk ka rritje të çmimit të bukës nga të gjithë operatorët. Të tjerë janë përpjekur që të amortizojnë koston e lartë, por gradualisht rritja për 10 lekë për bukë pritet të nisë në të gjithë tregun, nëse do të vijohet me rritje të çmimit të grurit”, pohuan anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës për Monitor.

Anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave kanë deklaruar se rritja me 10 lekë e bukës prej 2 javësh, në Tiranë ka qënë individuale.

Duke shtuar se, nëse kjo rritje do të vazhdojë të mbahet nga këto operatorë, shtrenjtimi i bukës në të gjithë tregun është i pashmangshëm.

Në këtë rast pritet reagimi i Autoritetit të Konkurrencës për të përcaktuar “fatin” e kësaj rritje, gjë e cila deri më sot nuk ka ndodhur. /albeu.com/


Shtuar 7.09.2021 12:36