Një fshat në Spanjë ka ndryshuar emrin e tij në kuadër të ndërgjegjësimit dhe solidaritetit për atë që po ndodh në Ukrainë.
Mediat e huaja raportojnë se tashmë një fshat në jug të Spanjës, që njihej me emrin Fuentes de Andalucia, ka ndryshuar emrin në Ukrainë, duke u solidarizuar me njerëzit e prekur nga lufta dhe konflikti rreth 4000 kilometra larg.
Emri në hyrje të fshatit në lindje të Seviljes u zëvendësua me fjalën Ukrainë, pranë së cilës ishte vizatuar flamuri blu dhe verdhë i atij vendi. Rrugët në fshatin me më shumë se 7100 banorë janë emëruar sipas qyteteve ukrainase të Kievit, Odessa dhe Mariupol.
“Qëllimi kryesor është të rritet ndërgjegjësimi për konfliktin në Ukrainë, por edhe për vendet ku janë aktualisht në luftë”, kanë thënë autoritetet vendase.
Fshati dëshiron të ofrojë strehim për deri në 25 refugjatë ose në qendër ose me familjet që jetojnë në fshat. Gjashtëdhjetë e tetë vjeçari Rafael Osuna, një pensionist, thotë se do të pranonte një çift ukrainas në shtëpinë e tij./albeu.com