Paolo Zampolli nuk do të vijojë më detyrën si i dërguar special në Departamentin e Shtetit, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur ta shkarkojë. Sipas ABC, Zampolli është informuar për vendimin të enjten.
Lajmin e konfirmoi vetë Zampolli përmes një reagimi në rrjetin social X, ku sqaroi se mandati i një të dërguari special është njëvjeçar. Ai shtoi se Trump kishte vendosur t’ia zgjaste qëndrimin edhe për më shumë se gjashtë muaj.
Të lidhura
None found
“Pozicionet e të dërguarit special zgjasin një vit. Trump e zgjati atë për më shumë se gjashtë muaj”, shkroi ai.
Zampolli foli edhe për lidhjen e hershme me presidentin amerikan, duke kujtuar se Trump e kishte orientuar vite më parë drejt fushës së pasurive të paluajtshme.
“Vite më parë, ai më futi në pasuri të paluajtshme. Tani më pyet: ‘Pse do të punosh për qeverinë kur mund të bësh të gjitha këto marrëveshje?’”, deklaroi Zampolli.
Në mesazhin e tij, ai nënvizoi se shërbimin ndaj Shteteve të Bashkuara e ka konsideruar privilegjin më të madh të jetës së tij, ndërsa bëri të ditur se tashmë po hap një etapë të re.
“Shërbimi ndaj Shteteve të Bashkuara ka qenë nderi më i madh i jetës sime. Tani është koha për një kapitull të ri”, përfundoi ai.





