Përpjekjet për shuarjen e zjarreve në masivet pyjore synojnë jo vetëm mbrojtjen e qytetarëve, banesave dhe pronave të tyre, por edhe shpëtimin e kafshëve të egra dhe habitateve natyrore të kërcënuara nga flakët.
Në zonën e Shmilit, në Elbasan, efektivët e Forcave të Armatosura kanë fotografuar një arushë të murrme me këlyshin e saj, ndërsa po përgatiteshin të ndërhynin në operacionin për shuarjen e zjarreve.
Të lidhura
None found
E frikësuar nga flakët, arusha së bashku me të voglin e saj është kapur në një çast të rrallë, i cili tregon se dëmet e shkaktuara nga zjarret nuk kufizohen vetëm te sipërfaqet e djegura.
Këto pamje pasqyrojnë gjendjen e rëndë në zonat pyjore, ku tymi dhe zjarri kërcënojnë njëkohësisht bimësinë dhe gjallesat që e kanë këtë territor si habitat.
Masivet pyjore të Elbasanit janë një habitat i rëndësishëm për shumë lloje të faunës së egër. Ndaj, angazhimi në terren i forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera nuk lidhet vetëm me izolimin dhe shuarjen e vatrave, por edhe me ruajtjen e biodiversitetit.
Shfaqja e arushës dhe këlyshit të saj pranë zonave të prekura nga zjarri nxjerr në pah edhe një aspekt tjetër të emergjencës: nevojën për të shpëtuar kafshët e egra, të cilat shpesh shndërrohen në viktima të padukshme të flakëve.
