Detaje të reja bëhen me dije nga shpërthimi i bombolës në hotelin në Velipojë, ku për pasojë janë lënduar 4 anëtarët e familjes Gjoka.
Një i afërmi i familjes bën me dije se ndezën bombolën për të bërë një kafe dhe më pas ndodhi shpërthimi.
Zef Zefi thotë për mediat se ata kishin ardhur vetëm një ditë më parë në hotelin e tyre në Velipojë, për ta pastruar dhe për t’u përgatitur për sezonin turistik. Sipas të afërmit të familjes Gjoka, ka qenë kryefamiljarja Alketa e cila ishte ngritur për të bërë një kafe në një nga bombolat e vogla, ndeza e së cilës shkaktoi më pas shpërthimin.
Ai thotë se dy prej 4 të plagosurve i kishte gjetur në pishinë pas shpërthimit, ku kishin hyrë për të lehtësuar dhimbjet nga djegia.
“Po vija rrugës dhe e ndjeva shpërthimin, kur vij këtu i gjej në pishinë. Gruaja ishte ngritur për të bërë kafe në kuzhinë dhe mesa duket do ketë patur ndonjë rrjedhje dhe ajo ka shkaktuar shpërthimin. Gjendja e tyre është shumë e rëndë. Ata mbrëmë erdhën, burrin e ka në Itali, ata erdhën për të pastruar për të punuar më pas për të filluar sezonin”, tha ai.