Fiton betejën me drejtësinë: “Eskobari i Ballkanit” del nga burgu i sigurisë së lartë

Kërkesa e Klement Balilit për t’u transferuar nga burgu i Peqinit ku po vuan dënimin me 10 vite heqje lirie në një burg të sigurisë së zakonshme, është pranuar nga Gjykata e Elbasanit.

Pas vendimit, “Eskobari i Ballkanit” është transferuar në një burg të sigurisë së zakonshme me argumentin se vuan nga probleme shëndetësore.

52-vjeçari në kohën që ka qëndruar i izoluar në burgun e Peqinit ka shfaqur disa herë probleme shëndetësore teksa ka marrë disa herë trajtim në spitalin e burgut në kryeqytet. Por për shkak se ky institucion nuk i krijonte kontakte të vazhdueshme me mjekët dhe familjarët ai kërkoi transferimin në një burg të zakonshëm ku do të vuajë edhe pjesën e mbetur të dënimit. Kërkesa për të ndërruar vendin e vuajtjes së dënimit është depozituar nga avokati I tij mbrojtës korrikun e kaluar.

Balili është dënuar me dhjetë vite burg nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, ndërsa vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli më 17 tetor të 2019-ës. Ai u dënua për trafik të lëndëve narkotike, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe refuzim të deklarimit të pasurisë.