Këtë të premte, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave në Spitalin Onkologjik në QSUT.
Ai akuzon qeverinë se përdor propagandën për të paraqitur gjendjen e shëndetësisë, ndërsa pacientët hasin vështirësi për të marrë trajtimin që u nevojitet.
Të lidhura
None found
Si rast konkret, Salianji përmend PHESGO, medikament që përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit HER2 pozitiv.
Sipas tij, në mungesë të tij pacientëve u jepet HERCEPTIN, terapi që nuk ka të njëjtin kombinim përbërësish aktivë.
Ai thotë se kjo nuk vjen nga një zgjedhje e mjekëve për alternativën më të përshtatshme, por nga mungesa e PHESGO.
Salianji e lidh ndërprerjen e furnizimit me skadimin e kontratës, e cila, sipas tij, nuk u rinovua në kohë. Ai pretendon se ministrja ende nuk e ka firmosur kontratën e re dhe se, edhe po të nënshkruhej menjëherë, mbërritja e medikamentit do të kërkonte të paktën 60 ditë.
Në reagimin e tij, ai e cilëson këtë situatë si dhuratën e Tetorit Rozë për gratë që luftojnë me kancerin dhe akuzon qeverinë se vendos mundësitë për korrupsion mbi vuajtjet e njerëzve.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me fondet për trajtimet. Salianji pohon se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) u ka telefonuar mjekëve për t’u komunikuar se fondet janë ezauruar, nuk ka më buxhet deri në fund të vitit dhe trajtimet duhet të shtyhen. Sipas tij, kjo prek onkologjinë, neurologjinë, imunologjinë, kardiologjinë, okulistikën dhe shërbime të tjera.
Ish-deputeti shprehet se mjekët po përballen me një zgjedhje të papranueshme mes detyrës profesionale ndaj pacientëve dhe presionit financiar e administrativ të institucioneve shtetërore.
Ai thekson se pasojat prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për trajtim: ndërsa fondet, sipas tij, kanë mbaruar, sëmundjet vazhdojnë.
Salianji kërkon që ministrja Spahiu të japë përgjigje për barnat, fondet e shteruara dhe përgjegjësitë për kontratat e papërfunduara.
Ai ngre gjithashtu, pyetjen nëse interesat që i quan mafioze po vihen mbi shëndetin e qytetarëve. Duke kundërshtuar shpenzimet për propagandë, fasada dhe inaugurime kur mungojnë paratë për ilaçe, ai thotë se pacientëve me kancer nuk mund t’u kërkohet të presin 60 ditë, as pacientëve të tjerë deri në janar. Në fund, Salianji i kërkon kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.








