Eni Jani konfirmon rikthimin e serialit “Njerëz dhe Fate”

Aktorja Eni Jani, ka konfirmuar rikthimin e serialit të njohur “Njerëz dhe Fate”. E ftuar në emisionin “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, ajo u shpreh se nuk dihet nëse do të mund të nisin në vitin 2023 xhirimet. Por, shtoi se njerëzit po e presin dhe e duan rikthimin e serialit.

“Kur bëri postimin e parë Beni, nuk e ke idenë sa mesazhe më kanë ardhur, nga të njohur dhe të panjohur dhe nuk çfarë përgjigjie t’i jepja sepse dhe unë aty e kisha parë për herë të parë, nuk është se kisha ndonjë informacion. Mesa duket Beni e ka marrë seriozisht këtë pjesë, po përpiqet, ka marrë pozicionin e producentit, është duke lëvizur, duke lobuar, në kontakte me skenaristin Ruzhdi Pulahën sepse Ruzhdiu i ka të shkruara 10 seritë e tjera që nuk kanë arritur kurrë të shohin dritën, por normalisht vitet kanë bërë të vetën dhe normalisht, duhet të vihet dorë në skenar dhe po punohet për këtë skenar.

Nuk e di do arrijë dot në 2023 të fillojnë xhirime apo jo, se dihet se çfarë peripecish janë dhe sa punë duhet deri tek momenti kur duhet të vijë caku i parë. Kështu që uroj më të mirën që vërtet të tërheqë vëmendjen e dikujt. Uroj shumë që të jetë në RTSH rikthimi, në të kundërtën pastaj do jetë diku tjetër, por vëmendjen do ta ketë po njësoj sepse njerëzit e presin dhe e duan,”- tha ajo.


Shtuar 31.12.2022 21:11