Vrasja e Viktor Bardhit, alias Marku, në Ndërfushas të Mirditës, vijon të mbetet pa autorë të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po përpiqet të rindërtojë lëvizjet e autorëve para dhe pas ekzekutimit.
Një prej vështirësive kryesore të hetimit lidhet me terrenin ku ka ndodhur krimi. Mësohet në hyrje të fshatit Ndërfushas ka kamera sigurie, por nga këqyrja e pamjeve nuk është evidentuar lëvizja e ndonjë automjeti gjatë orarit kur dyshohet se është kryer vrasja.
Të lidhura
None found
Për këtë arsye, dyshimet janë se autorët mund të kenë përdorur nënkalimin e “Rrugës së Kombit” për t’u larguar nga vendngjarja.
Një tjetër mundësi që po merret në konsideratë është kalimi në këmbë përtej barrierave mbrojtëse të rrugës, të cilat ndodhen vetëm pak metra larg vendit ku dyshohet se është ngritur prita.
Edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit nuk ka sjellë deri tani një gjurmë të automjetit që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët.
Automjeti i gjetur i djegur në zonën e Munazit u zbulua rreth 20 minuta pasi familjarët e 65-vjeçarit njoftuan se e kishin gjetur atë të pajetë.
Megjithatë, brenda automjetit nuk janë gjetur armë apo prova të tjera që mund ta lidhnin drejtpërdrejt me ekzekutimin.
Kjo ka ngritur edhe dyshime të tjera te hetuesit, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë që automjeti i djegur të mos jetë mjeti i përdorur nga autorët për kryerjen e krimit.
Kjo mund të jetë një strategji e përdorur nga autorët për të humbur gjurmët dhe për ta orientuar hetimin drejt një piste të gabuar.
Një tjetër dyshim i hetuesve është se ekzekutorët mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët mund t’i kenë pritur me një automjet tjetër pas kryerjes së vrasjes dhe t’i kenë larguar nga zona.
Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve, zbardhjen e mënyrës së organizimit të atentatit dhe përcaktimin e personave që mund të kenë ndihmuar në largimin e tyre nga vendngjarja.
