Ekzekutimi i Edmond Papës te “Komuna e Parisit”, një grup hetuesish shqiptarë në Athinë

Për të identifikuar autorët që vranë Edmond Papën dy javë më parë në zonën e Selitës në Tiranë, një grup hetuesish iu drejtuan Greqisë për të bashkëpunuar me autoritetet në vendin fqinj, me dyshimin se autori apo porositësi fshihet atje.

Burime pranë grupit hetimor, bëjnë me dije se oficerët e kriminalistikës të cilët prej tre ditësh ndodhen në Greqi, kanë kërkuar nga homologët të dhëna për hetimet që ata po kryejnë për vrasjen e dy shtetasve shqiptar, dy ditë pas vrasjes së Papës. Kjo për faktin se dy vrasjet dyshohen të jenë porositur nga e njëjta dorë, për prishjen e pazareve të drogës.

Në vendin fqinj u ekzekutuan dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Ogranaja, që shkak dyshohet zhdukja e një ngarkese prej 700 kg kanabis.

Grupi hetimor ka dyshimet se vrasjet e tyre kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi Papa, Çerçizaj dhe Ogranaja kanë pasur lidhje miqësore më herët.

Pjesë të këtij hetimi është edhe vrasja e Aleksandër Sadikajt, makina e të cilit u hodh me tritol në qershor të këtij viti në Tiranë. Edhe kjo ngjarje vijon të jetë ende e pazbardhur nga policia.

Të treja këto krime, për grupin hetimor dyshohet se shkak janë bërë prishja e pazareve të drogës, mes Shqipërisë e Greqisë.