Ekspertët: Mos zgjidhni mes vaksinave, merrni cilëndo që u jepet

Tre vaksina po përdoren aktualisht në Shtetet e Bashkuara, Pfizer / BioNtech, Moderna dhe Johnson & Johnson, e cila së fundi mori dritën jeshile të rregullatorëve vendas.

Të gjitha sipas ekspertëve, janë të certifikuara me shumë rreptësi. Por ndërkohë, ashtu si dhe në pjesë të tjera të botes, një debat i gjerë mbi efikasitetin dhe cilësinë e vaksinave të ndryshme ka nisur dhe në SHBA.

Mjekët thonë se njerëzit nuk duhet të zgjedhin, por të bëjnë cdo vaksinë që të munden. “Është pak e ngatërruar sepse vaksina J&J është 66 përqind efikase dhe njerëzit thonë: përse të mos marr Pfizer-in dhe Moderna-n që janë 95 përqind? ‘Përgjigjja është: Dakord, por provat me J&J janë bërë në një kohë më të vonë, kur dolën variante të tjera të virusit.

Pra, meqenëse qëllimi është parandalimi i sëmundjes së rëndë apo vdekjes, të treja vaksinat janë jashtëzakonisht të mira, prandaj mos hezito të zgjedhësh cilëndo prej tyre,” thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Vaksinat janë disa llojesh. Disa janë krijuar me teknologji të vjetra, si ato me lëndë virale joaktive ose të dobësuar.

Të tjera, si Moderna dhe Pfizer, mbështeten në metoda më të reja, siç është ARN-ja që u dërgon mesazhe qelizave. Ekspertët thonë se në garën globale kundër varianteve të reja të koronavirusit, është e domosdoshme të arrihet me shpejtësi imuniteti i tufës, duke vaksinuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.


Shtuar 26.03.2021 20:45