Mbrëmjen e së mërkurës, qielli do të dhurojë një pamje të rrallë, teksa një eklips total i Diellit do të mund të vëzhgohet nga disa pjesë të Evropës dhe të hemisferës veriore.
Gjatë këtij fenomeni, i konsideruar ndër ngjarjet astronomike më mbresëlënëse të viteve të fundit, Hëna do të pozicionohet për disa minuta drejtpërdrejt ndërmjet Tokës dhe Diellit. Për vëzhguesit brenda brezit të ngushtë ku do të shtrihet hija e saj, disku diellor do të mbulohet tërësisht.
Të lidhura
None found
Rruga e eklipsit të plotë do të përfshijë Rusinë veriore, Groenlandën dhe Islandën, përpara se të vijojë mbi Atlantik dhe të arrijë në Gadishullin Iberik. Brenda Evropës, Spanja do të ketë pozicionin më të favorshëm, ndërsa në shumicën e kontinentit, përfshirë Shqipërinë, eklipsi do të shfaqet vetëm pjesërisht.
Në vendin tonë, dukuria pritet të vërehet në minutat që i paraprijnë perëndimit të Diellit. Në varësi të zonës, ajo do të jetë e dukshme afërsisht nga ora 19:29 deri rreth orës 19:47.
Shkodra pritet të ketë pamjen më të theksuar, me një mbulim maksimal prej rreth 15.65% në orën 19:43. Në Tiranë, kulmi parashikohet rreth orës 19:41, kur mbulimi do të arrijë afërsisht 9.83%. Në zonat më jugore, efekti i fenomenit do të jetë më i dobët.
Në të gjithë trajektoren e eklipsit, faza e totalitetit do të zgjasë maksimalisht rreth 2 minuta e 18 sekonda.
Për Evropën, kjo ngjarje ka rëndësi të veçantë, pasi bëhet fjalë për eklipsin e parë total diellor të dukshëm nga pjesa kontinentale e saj që prej vitit 1999.
Teksa eklipsi zhvillohet, ndriçimi i ditës do të pakësohet dhe qielli do të marrë një pamje të ngjashme me muzgun, ndërsa përreth Hënës do të shfaqet kurora diellore. Dielli nuk duhet vëzhguar drejtpërdrejt pa syze të posaçme për eklipse, pasi syzet e zakonshme të diellit nuk sigurojnë mbrojtjen e nevojshme.
