Tentuan të vrasin avokatin dhe kunatin e Domart Konjarit, zbardhen “krimet” e bandës në Tiranë

5 persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë  shpallur në kërim pas super-operacionit ditën e sotme në Tiranë ku u sekuestrua një arsenal i frikshëm armësh.

Të arrestuar janë shtetasit Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa, ndërsa si pjesë e kësaj bande janë arrestuar më herët edhe shtetasit Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku.

Ky grup kriminal ka tentuar të vrasë me eksploziv të telekomanduar më 18 tetor të vitit 2019 shtetasin Artian Bylyku, i cili është kunati i Domart Konjarit, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit. Gjithashtu, të arrestuarit e këtij grupi janë autorët e sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, më 10 shtator të vitit 2017, në rrugën “Muhamet Deliu”, në Tiranë.

Ndërkohë, po të njëjtët persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit Edmond Saraçi, ngjarje e ndodhur me datë 15 shtator 2017, në Tiranë.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara. /albeu.com/


Shtuar 1.04.2021 13:13