Shkëlqim Goxhaj, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës dha detaje në lidhje me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure, në pikën e karburantit ‘Eida’ në Brryl.
Ai theksoi se dyshohet që shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit, ndërsa shtoi se ka pasur edhe rrjedhje gazi. Sipas tij, po hetohet edhe për defekte teknike në pikën e karburantit.
Të lidhura
None found
“Situata u vu në kontroll në pak minuta. Ka qenë shpërthim, jo zjarr. Dyshojmë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit. Zyra është djegur dhe pjesa përpara nuk është përfshirë nga flakët por është dëmtuar nga shpërthimi. Kjo na bën të mendojmë se shpërthimi është në zyra.
Shpërthimi ka ndodhur nga gazi. Për defektet teknike dhe problemet që mund të ketë pasur pika ne do t’i konstatojmë. Përfaqësuesit e automjetit thonë se mund të ketë qenë dhe automjeti që ka goditur pikën e karburantit, ashtu siç na ka ndodhur para disa vitesh por ngelet për t’u parë. Policia po këqyr kamerat”, tha Goxhaj.
Ndërkohë, tre punonjësit e karburantit që mbetën të dëmtuar nga shpërthimi janë transportuar në spital dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
