Dimër në mes të verës! Çfarë po ndodh me motin në Europë, stuhi dhe breshër në disa shtete

Makinat e borës dolën në rrugët e Gjermanisë jugperëndimore në mes të verës, pasi një stuhi e fortë la pas sasi të mëdha breshëri. Autoritetet në Reutlingen në shtetin e Baden-Württemberg thanë se një “stuhi lokale me breshër dhe shi të dendur” përfshiu qendrën e qytetit të premten pasdite.

Imazhet e publikuara treguan rrugë të mbuluara me të bardha, ndërsa zyrtarët e qytetit thanë se breshri ishte 30 centimetra i trashë në disa vende. Gjethet dhe breshëri bllokuan kanalet e kanalizimeve brenda pak minutash dhe uji derdhi në parkingje nëntokësore, bodrume dhe ndërtesa banimi.

Lumi Echaz, i cili përshkon qytetin, u ngrit 1.5 metra në pesë minuta, duke kërcënuar me përmbytje. Rreth 250 zjarrfikës dhe qindra vullnetarë u vendosën në rreth 100 misione.

Përmbytje kanë ndodhur edhe në Austri, ndërsa tre persona kanë humbur jetën në Slloveni. Në St. Paul im Lavanttal në Karintin e Poshtëm u evakuuan 70 shtëpi, ndërsa në zonat përreth Eisenkappel dhe Klagenfurt disa vende u shkëputën nga zona përreth. Një digë rrezikon të prishet pranë Klagenfurt. Në Qafën Loibl, brenda 24 orëve ranë 200 litra shi për metër katror, një sasi që zakonisht korrespondon me një muaj të tërë.

Në Slloveni, të paktën tre persona humbën jetën pas shirave të rrëmbyeshëm. Lumenjtë u vërshuan, rrugët dhe urat u përmbytën, ndërsa kryeministri slloven Robert Golob foli për katastrofë.

Autoriteti mjedisor i Sllovenisë Arso ngriti paralajmërimin e motit të keq në nivelin më të lartë. Përmbytjet mund të jenë më të këqijat që kur Sllovenia fitoi pavarësinë në vitin 1991.

“Shkalla është katastrofike. Ne po kërkojmë të gjithë ndihmën që mund të marrim”, tha Golob, duke u kërkuar njerëzve të mos largohen nga shtëpitë e tyre nëse nuk është një emergjencë.

Autoritetet në Celje urdhëruan rreth 4,000 njerëz të evakuoheshin në siguri pasi lumi Savinja u vërshua. Në rrjedhën e sipërme në qytetin e Lubno, lumi lau shtëpitë dhe gjithashtu shkaktoi rrëshqitje dheu. Rajoni i Koroshkës në veri të Sllovenisë, në kufi me Austrinë, u godit më rëndë: urat dhe rrugët u shkatërruan dhe furnizimi me ujë u ndërpre në disa zona.


Shtuar 5.08.2023 14:42