Një konflikt i dhunshëm i ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në rrugën “Butrinti” në Sarandë ka përfunduar me 6 persona të arrestuar dhe një të shpallur në kërkim.
Mësohet se, sherri shpërtheu mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa personave të tjerë, ndërsa rojet goditën me grushte edhe Shefin e Hetimit të Krimit të Sarandës, i cili po kalonte aty dhe ndërhyri për të shuar përplasjen.
Të lidhura
None found
Në pranga ranë administrator i lokalit, katër roje sigurie, mes tyre një ushtarak dhe një taksist, ndërsa një tjetër roje po kërkohet nga policia. Gjithashtu janë pezulluar menjëherë nga detyra edhe dy efektivë të policisë, të cilët punonin pa leje si roje në të njëjtin lokal, pasi nuk njoftuan shërbimet operative dhe nuk ndërhynë për të parandaluar dhunën.
Njoftimi i Policisë:
“Më datë 16.08.2026, rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti”, Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokali, rojet e sigurisë së lokalit po konfliktoheshin me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë. Gjatë konfliktit, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisar M. B., po kalonte në rrugë me mjetin e tij dhe, kur ka konstatuar konfliktin, ka ndaluar, duke u prezantuar me detyrën që mbante dhe duke u përpjekur të parandalonte përshkallëzimin e konfliktit.
Rojet e sigurisë së lokalit nuk e kanë ndaluar konfliktin fizik, por kanë filluar të godasin me grushte edhe Shefin e Hetimit, i cili ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të komunikojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë. Pas rreth 1 minute, kanë shkuar në ndihmë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar disa persona që janë gjendur të pranishëm në konflikt”, thuhet në njoftim.
